Aktualitet Rajoni

Mbledhja e qeverive Kosovë-Shqipëri, firmosen 19 marrëveshje në disa fusha!

19 marrëveshje u nënshkruan në Prishtinë mes Kosovës e Shqipërisë, sot në mbledhjen e 8-të të përbashkët të qeverive të dy vendeve. Ato kanë të bëjnë me fushat e arsimit, doganave, energjisë, bujqësisë, infrastrukturës rrugore, transportit, shëndetësisë, mbrojtjes e drejtësisë.

Ndër të tjera, palët ranë dakord për mundësi konkurrimi dhe vijim të studimeve në 19 universitete të të dy shteteve, në kushte të barabarta, si dhe për të punuar drejt lehtësimit të plotë të lëvizjes së lirë. Gjithashtu, për të krijuar një platformë të përbashkët digjitale, për promovimin e turizmit të Shqipërisë e Kosovës. Në sektorin e transportit u arrit marrëveshje për një studim fizibiliteti, që i hap rrugën ndërtimit të linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë, projekt i cili synon të lehtësojë transportin e njerëzve e mallrave.

Që në nisje të mbledhjes, mikpritësi Albin Kurti vuri në dukje se “marrëveshjet mes Kosovës e Shqipërisë, lehtësojnë jetën e qytetarëve”.

Asnjëherë më parë, bashkëpunimi nuk ka qenë më i gjerë dhe intensiv. Nga 127 marrëveshje të nënshkruara, vetëm 75 ose 59% e tyre janë në zbatim, që është shumë pak, krahasuar me realizimin në nivelin 93% të atyre të firmosura para 6 muajsh. Por, ekziston nevoja e një harmonizimi e bashkërendimi më të mirë të politikave dhe veprimeve mes dy vendeve tona, si në çështje rajonale, ashtu edhe të politikës së jashtme.

Kryeministri Rama deklaroi:

Në Shqipëri janë regjistruar 1 mijë e 225 biznese nga Kosova, 1 mijë e 81 prej tyre, në pronësi të plotë të kosovarëve. Investimet e Kosovës në Shqipëri më 2017-ën ishin 9 milion euro, ndërsa vitin e kaluar, 139 milion. Shifra është domethënëse dhe mundësitë për rritjen e investimeve, janë të dukshme.

Ishte dhjetori i 2013-ës kur qeveritë e Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë ranë dakord për organizimin e mbledhjeve të përbashkëta. Kjo me qëllim vendosjen e një partneriteti strategjik më të strukturuar e të institucionalizuar mes dy shteteve. Në vite, kryeministrat e dy shteteve kanë thënë se këto marrëveshje do të lehtësojnë jetën e qytetarëve në të dy anët e kufirit.

Por, në tetor të vitit 2021, Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë dhe Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur kanë bërë sondazhe për qëndrimet e qytetarëve të Kosovës e Shqipërisë, sa u përket marrëdhënieve mes dy qeverive. Më shumë se 60% e të anketuarve deklaronin se marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet dy qeverive, nuk kanë pasur ndikim në jetën e përditshme.

Në këto çaste, kryeministrat Kurti dhe Rama kanë dalë në një konferencë shtypi e po iu përgjigjen pyetjeve të gazetarëve.