Tech

Microsoft do të largojë rreth 2000 punonjës!

Microsoft, një nga gjigantët amerikanë të teknologjisë, do të pushojë nga puna 1.900 persona në departamentin e videolojërave. Sipas “The Verge”, CEO i Microsoft Gaming, Phil Spencer, u dërgoi një mesazh punonjësve në lidhje me këtë çështje. Spencer rikujtoi se kanë kaluar më shumë se tre muaj që kur ekipet Activision, Blizzard dhe King iu bashkuan Microsoft-it dhe deklaroi se drejtuesit e Microsoft Gaming dhe Activision Blizzard janë të vendosur të bashkohen në një strategji dhe plan zbatimi me një strukturë të qëndrueshme kostoje që do të mbështesë biznesi i përgjithshëm në rritje.

Spencer deklaroi se në kuadër të këtij procesi, vendosën të ndërpresin marrëdhëniet e punës me rreth 1.900 persona në departamentin e videolojërave. Ky numër korrespondon me afërsisht 9% të fuqisë punëtore të departamentit të lojërave të Microsoft-it që ka 22.000 punonjës. Po ashtu bëhet e ditur se punonjësit e Activision Blizzard, Xbox dhe ZeniMax do të preken me largime nga puna. Microsoft bleu Activision Blizzard, prodhuesin e lojërave si Call of Duty dhe Diablo, në tetor të vitit të kaluar për rreth 69 miliardë dollarë.

Rikujtojmë, se Windows 12 pritet të prezantohet gjatë këtij viti dhe vjen i mbështetur nga Inteligjenca Artificiale. Prej kohësh është spekuluar se Windows 12 do të varet më shumë nga sistemet dhe zgjidhjet e Al. Kompjuterë të tillë do të përfaqësojnë një gjeneratë të re, në të cilën Microsoft sheh potencial të ri. Sipas një raporti nga analistë të TrendForce, aplikacionet e Al do të zgjerohen dhe përpunohen, për t’u transferuar pjesërisht në shërbimet dhe serverët e mëdhenj të kompjuterëve. Rrjedhimisht, edhe ata do të duhet të jenë më të fuqishëm prandaj këtë vit pritet shfaqja e procesorëve më të avancuar, të cilët më së paku duhet të ofrojnë 40 TOPS.