Shërbimet online të Microsoft-it janë goditur nga një tjetër problem, vetëm disa dita pas një incidenti që futi në kaos shërbime kritike në të gjithë globin. Kompania bëri të ditur se është duke hetuar disa raste të raportuara nga përdoruesit të cilët janë ankuar se nuk po aksesojnë dot shërbimet e saj. Disa madje kanë raportuar se e kanë të pamundur që të kenë akses në email-et e tyre.
Incidenti vjen më pak se dy javë pasi një ndërprerje e madhe globale e Teknologjisë së Informacionit goditi infrastrukturën globale, duke përfshirë transportin dhe shërbimet e kujdesit shëndetësor të cilët dolën “offline” për shkak të një përditësimi të gabuar të softuerit nga kompania e sigurisë kibernetike CrowdStrike që preku pajisjet Microsoft. “Klientët mund të hasin në vonesa kur lidhen me shërbimet Azure. Ne kemi shumë ekipe inxhinierike të angazhuara për të diagnostikuar dhe zgjidhur problemin. Më shumë detaje do të jepen sa më shpejt të jetë e mundur,”-njoftoi kompania.
Rikujtojmë, se Microsoft do të investojë 2.2 miliardë euro në një projekt të madh të qendrës së të dhënave në Spanjën verilindore. Njoftimi, i cili pason plane të tjera të zbuluara nga gjiganti i softuerit amerikan, rrit në afro 6.7 miliardë euro investimin e planifikuar të Microsoft në Aragon, u tha gazetarëve udhëheqësi rajonal Jorge Azcon.
Ai gjithashtu pason një njoftim të ngjashëm nga Amazon, i cili në maj tha se divizioni i tij i kompjuterave cloud do të investonte 15.7 miliardë euro për të zgjeruar qendrat e saj të të dhënave në Aragon, ku aktualisht ka tre që operojnë. Duke cituar shifrat e ofruara nga konsulenca IDC, Microsoft tha se projekti me kampusin e tij prej 88 hektarësh (217 hektarë) mund të kontribuojë në krijimin e më shumë se 2,100 vendeve të punës teknologjike në Aragon midis 2026 dhe 2030.