Bota Celebrities

Mik i ngushtë me Vladimir Putin, aktori i njohur Steven Seagal komenton luftën në Ukrainë!

Së fundmi, aktori i njohur Steven Seagal ka komentuar pushtimin rus ndaj Ukrainës. Ylli hollivudian njihet për raportin e ngushtë me presidentin rus, Vladimir Putin. Aktori, të cilit iu dha shtetësia ruse në 2016, komentoi për “Fox News” duke shprehur këto fjalë:

Shumica prej nesh kanë miq dhe familje në Rusi dhe Ukrainë. Unë i shikoj të dyja si një familje dhe me të vërtetë besoj se është një ent i jashtëm që shpenzon shuma të mëdha parash në propagandë për të provokuar që të dy vendet të jenë në mosmarrëveshje me njëri-tjetrin. Lutjet e mia janë që të dy vendet të arrijnë në një zgjidhje pozitive, paqësore, ku ne mund të jetojmë dhe të lulëzojmë së bashku në paqe.

Vitin e kaluar, Ukraina e ndaloi Seagal-in të hynte në vend për pesë vjet, duke përmendur arsyet e sigurisë kombëtare. Në vitin 2016, Putin i dha Seagal-it një pasaportë ruse. Seagal ka qenë një vizitor i rregullt në Rusi dhe ka shoqëruar Putinin në disa ngjarje të arteve marciale. Pasi i dha shtetësinë Seagal përmes një dekreti presidencial, Putin priti aktorin dhe i dorëzoi pasaportën.

Ndërkaq modelja e njohur ruse, Irina Shayk ka reaguar së fundmi për pushtimin rus në Ukrainë. Ajo ka postuar një simbol të paqes në llogarinë në Instagram, duke kundërshtuar luftën dhe duke u bërë thirrje ndjekësve që të dhurojnë për organizatat ndërkombëtare dhe Kryqin e Kuq të Ukrainës.

Ndërkohë, sapo u qartësua se sot do të ketë negociata Kiev-Moskë, për t’i dhënë fund luftës. Kremlini siguroi se po, por Ukraina kishte ngritur pikëpyetje për raundin e dytë dhe shprehu gatishmërinë për t’u bërë pjesë vetëm nëse Moska hiqte dorë nga ultimatumet. Tashmë, Kievi tha “po”. Më herët, Rusia bëri paralajmërimin e frikshëm përmes kryediplomatit Lavrov. Ai tha se “Lufta e 3-të Botërore do të ishte bërthamore e shkatërrimtare”, si dhe shtoi se nuk prisnin sanksione për atletët e gazetarët.