Sport

Momenti gazmor kur trajneri i ri i Romës takon për herë të parë Lukakun…

Pas tërmetit që çoi në shkarkimin e Jose Mourinhos, drejtuesit e Romës zyrtarizuan shumë shpejt pasuesin e portugezit. Daniele De Rossi, ish-kapiten e verdhekuqve, merr detyrën e trajnerit të ekipit të tij të preferuar. Daniele De Rossi ka nisur menjëherë punën me skuadrën e Rimës për të drejtuar verdhekuqtë në vijimin e këtij sezoni pas shkarkimit të Jose Mourinhos. Ish-kapiteni I Romës, është një figurë e dashur në ambientin verdhekuq, por edhe një tip shumë më i afërt me lojtarët, pasi ka lënë futbollin vetëm pak vite më parë dhe shumë prej tyre i kishte kundërshtarë. Toni i tij miqësor me futbollistët shihet edhe nga një bashkëbisedim me Romelu Lukakun, i cili po takonte për herë të parë trajnerin e ri. “Gjithmonë kaq i madh ke qenë? Jam zvogëluar unë atëherë…”, tha duke qeshur italiani para futbollistit belg në videon që është shpërndarë nga klubi verdhekuq.

Rikujtojmë se vetëm pak ditë më parë, Corriere Dello Sport” zbuloi se të martën e kaluar ishte organizuar një takim në orët e para të mëngjesit në ambientet e klubit. “Eja në zyrën time”, ishte mesazhi i Dan Fridkin për Murinjon.  Presidenti kishte udhëtuar posaçërisht nga SHBA për të takuar portugezin dhe për t’i shpjeguar arsyet e shkarkimit. Kjo gjë ndodhi pak pas orës 8, kur bashkë me të birin, Rajan, u takuan me portugezin në klubin verdhekuq. Por Mourinho nuk e ka pritur mirë këtë shkarkim.

Raportohet se mes palëve ka nisur një sherr i mirëfilltë me tone të larta e fyerje në gjuhën angleze, pasi palët i kaloni njëra-tjetrës përgjegjësinë për situatën e Romës dhe krizën e rezultateve. Megjithatë, vendimi ishte përfundimtar dhe i pakthyeshëm, duke bërë që rreth orës 09.30 të komunikohej zyrtarisht për publikun shkarkimi i Mourinho.