Bota

Moti i ftohtë në SHBA, 48 viktima!

Rëndohet bilanci i motit të keq në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa vendi është gjunjëzuar nga erërat e forta e të ftohta, si edhe dëbora e dendur. Deri tani janë 48 viktima, në Oklahoma, Kentaki, Misuri, Tenesi, Uiskonsin, Kansas, Nebraska, Ohajo, Nju Jork, Kolorado e Miçigan.

“Bomba ciklonike”, sipas emrit që i kanë vënë mediat amerikane ka çuar në anulimin e mijëra fluturimeve dhe 560 mijë shtëpi janë pa energji elektrike. Temperatura shënoi rekord duke zbritur deri në minus 40 gradë Celcius. Në Buffalo të Nju Jorkut konfirmohen shumë blackout. Ndërkohë, u bllokuan edhe disa ndërhyrje të emergjencës e aeroporti u mbyll.

Para Krishtlindjes, më shumë se 200 milion amerikanë morën paralajmërime për kushtet ekstreme të motit. Fillimisht, u prekën shtetet veriore e perëndimore. Por, të ftohtit polar nuk i shpëtuan as shtetet jugore.

Disa shtete, përfshirë Nju Jorkun kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Autoritetet apeluan për të kursyer energjinë elektrike. Me temperaturat që janë shumë të ulëta, kërkesa mbetet e lartë dhe nevoja për furnizim po mbetet e paplotësuar. Në Tenesi, ndërprerjet e shkurtra të energjisë elektrike u aplikuan për të reduktuar konsumin. Meteorologët flasin për një ngjarje klimatike që nuk ndodh shpesh.

Atlanta në Xhorxhia e qyteti Tallahase në Florida përjetuan natën më të ftohtë të prag Krishtlindjes në historinë e tyre. E njëjta gjë ishte edhe për Filadelfian e Pitsburgun, ndërsa Çikago preku temperaturat më të ulëta që nga viti 1983. I ftohti polar nuk ka kursyer as Uashingtonin këtë Krishtlindje.

Ndërkohë, për Nju Jorkun thuhet se ky i ftohtë nuk regjistrohej që nga viti 1906. Ditë më parë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden iu drejtua me një apel amerikanëve, që të kenë kujdes e të marrin seriozisht këshillat e udhëzimet e autoriteteve lidhur me situatën e krijuar nga moti i ftohtë në Amerikë. Në historinë e vendit, kjo ishte Krishtlindja më e ftohtë në 40 vite.