Aktualitet

Moti i keq me reshje shiu, rikthehen përmbytjet në Shkodër/Rreth 2 mijë nën ujë!

Për shkak të reshjeve të shiut dhe shkarkimeve nga hidrocentralet, në Shkodër raportohet për një sipërfaqe të përmbytur prej rreth 2 mijë hektarësh tokë. Në Njësinë Administrative, Ana e Malit, rruga e Obotit kalohet vetëm me automjete të larta. Ujësjellësi Oblika 1 është jashtë funksioni ndërsa kërkohet një mjet ushtrie i lartë për bërë të mundur kalueshmërinë në rrugën e Obotit.

Po në Shkodër, për shkak të pasojave të lidhura me motin e keq, fshatrat Mushan, Shirq, Suka të Njësisë Administrative Dajç, janë pa energji elektrike. Më ndërprerje në furnizim përballet edhe pjesa më e madhe e Njësisë Administrative, Velipojë. Ndërkaq, në Lezhë reshjet e dendura të shiut kanë përmbytur oborret e shkollave “Kosova” dhe “Besëlidhja”. Për pasojë, hyrja e nxënësve dhe e mësuesve është e pamundur.

Në Durrës, stuhia detare ka vazhduar e për rrjedhojë u pengua sërish lundrimi. Tragetet që mbrëmjen e djeshme duhej të niseshin drejt Barit, nuk e realizuan dot nisjen. Do të ritentohet mëngjesin e sotëm. Ndërkohë, nga Bari u nisën dy tragete dhe pritet të mbërrijnë në Portin e Durrësit. Vijon të mbetet i ndaluar lundrimi i anijeve të vogla e peshkarexhave.

Në Vlorë, tragetet vijojnë si zakonisht lundrimin, por jo mjetet e vogla e të peshkimit që vazhdojnë të jenë të pezulluara. Ndërkohë, në mbrëmje niveli i lumit Vjosë arriti në 6.3 metra duke dalë pak në pjesën e Pazarit dhe sot u rikthye në shtrat, megjithatë situata mbetet nën monitorim. Gjatë natës pati erëra të forta, të cilat vazhdojnë të fuqishme duke shkaktuar mungesë të furnizimit me energji elektrike në disa zona. Po punohet për ta rikthyer.

Për sot, vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga masa ajrore të paqëndrueshme e të lagështa me origjinë jugperëndimore. Moti parashikohet me vranësira mesatare e të dendura. Vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme dhe lokalisht të vazhdueshme me intensitet të ulët e kryesisht mesatar në formën e shtrëngatave në pjesën më të madhe të territorit.