Një 24-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Durrës pasi dyshohet se përdorte kartëmonedha të falsifikuara për të kryer pagesa.
Policia bën me dije se operacioni i koduar “Përdorimi” u finalizua pas një kallëzimi për një rast mashtrimi në një pikë karburanti në fshatin Sinaballaj, Rrogozhinë.
Shtetasi M. Rr., 24 vjeç, dyshohet se kishte furnizuar automjetin me karburant dhe kishte paguar me 3 kartëmonedha 20-euroshe të dyshuara të falsifikuara.
Njoftimi:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Përdorimi”.
Blinte produkte dhe paguante me kartëmonedha të falsifikuara, kapet dhe arrestohet në flagrancë 24-vjeçari.
Sekuestrohen 13 kartëmonedha me prerje 20 euro, të dyshuara të falsifikuara.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë dhe nën drejtimin e Prokurorisë, pas kallëzimit të bërë se një shtetas kishte mashtruar në një pikë karburanti duke përdorur kartëmonedha euro të dyshuara të falsifikuara për të paguar karburantin e automjetit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Përdorimi”.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore u bë i mundur identifikimi, lokalizimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit M. Rr., 24 vjeç.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, në një pikë karburanti në fshatin Sinaballaj, Rrogozhinë, ka furnizuar automjetin me karburant dhe ka kryer pagesën me 3 kartëmonedha me prerje 20 euro, të dyshuara të falsifikuara.
Gjatë kontrollit fizik, në portofolin e tij u gjetën edhe 10 kartëmonedha të tjera me prerje 20 euro, të dyshuara të falsifikuara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në total u sekuestruan 13 kartëmonedha me prerje 20 euro, të dyshuara të falsifikuara.
Vijojnë veprimet hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.