Prej mbrëmjes së djeshme, stuhi të forta dhe reshje të dendura shiu kanë përfshirë territorin shqiptar. Pas parashikimeve për situata më problematike në Shkodër, Lezhë, Kukës, Vlorë e Gjirokastër, Ministria e Mbrojtjes u bëri thirrje bashkive përkatëse të marrin masa. Ndërkohë, sa i përket parashikimit të motit, edhe sot vendi ynë do të jetë nën ndikimin e masave ajrore të paqëndrueshme e të lagështa, me origjinë jugore. Vranësirat e reshjet e shiut na shoqërojnë këtë të diel, ndërsa temperaturat variojnë nga 12-21 gradë celcius.
Sot në një deklaratë për mediat, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi informoi për gjendjen në vend:
Janë marrë të gjitha masat, ndërsa janë në gatishmëri Forcat e Armatosura, Emergjencat, Civile, prefekturat dhe bashkitë e vendit. Disa prej bashkive kanë probleme për shkak të reshjeve të shumta. Problematike paraqitet situata në qarkun e Shkodrës.
Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile, në qarkun e Lezhës, në zonën Kurbin ranë rreth 15 mm shi, në zonën e Lezhës, 20 mm shi, në zonën e Zadrimës 131 mm, ku ka edhe disa sipërfaqje të përmbytura në këto zona. Në ish-kënetën Torovicë ku punon Hidrovori i Balldrenit ka rreth 500 ha të përmbytura.
Në qarkun e Shkodrës ka rënë 190 mm shi. Në Kukës ka pasur 4 mm shi. Në Fushë-Arrëz, raportohen dëmtime të rrugëve rurale e shkëputje te energjisë elektrike.
Në Vaun e Dejës situata është pak më problematike, kanë dalë nga shtrati lumi Gjadër e përroi Glinë. U ndërpre energjia elektrike. Në bashkinë Malësi e Madhe doli nga shtrati përroi i Thatë në fshatin Kamicë. Po vijon puna për evakuimin e banorëve që rrezikohen nga përmbytjet. Kemi mbledhur Komitetin e Emergjencave për të rritur nivelin e gatishmërisë.
Ministri Peleshi shtoi:
Lumi Drin tek ura e Baçallëkut ka kuotën 4.8 m nga 7.5 që është ajo kritike. Lumi i Bunës ka kuotë 6.3 m nga 8.2 që përbën pikën kritike, ndërsa lumi Mat nuk ka nivele të larta deri tani.