Rajoni

Ndëshkimi i “tradhtarëve”, Uashingtoni dënon sulmet ndaj atyre që ndërrojnë targat në RKS!

Shtetet e Bashkuara dënojnë shkatërrimin e pronave të serbëve që riregjistrojnë makinat me targat RKS – Republika e Kosovës. Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, shprehet se të tilla akte janë “frikacake dhe kriminale”.

Më herët gjatë ditës, Policia e Kosovës njoftoi se u informua për djegien e automjetit me targa RKS në Zubin Potok, në pronësi të një qytetari serb. Njoftimi vjen një ditë pasi qeveria Kurti nisi të zbatojë planin me tri faza për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe. E para përfshin qortimin e shoferëve, e dyta gjobë deri në 150 euro dhe e treta targa provuese.

Zbatimi i këtij plani të kundërshtuar nga Lista Serbe pritet të përfundojë më 21 prill 2023 e nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS. Ambasadori Hovenier përsëriti thirrjen e Shteteve të Bashkuara për “shtyrje të plotë të zbatimit të vendimit për targat”, duke theksuar se “Kosova ka të drejtë ta zbatojë vendimin”.

Javë më parë, i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kërkoi shtyrje me 10 muaj për riregjistrimin. Në verë, çështja e targave ilegale ka shkaktuar tensione në veri të Kosovës ku disa serbë ngritën barrikada, në shenjë pakënaqësie me procesin e riregjistrimit.

Për të ulur tensionet dhe me sugjerimin e komunitetit ndërkombëtar, qeveria e Kosovës e shtyu deri më 1 shtator, zbatimin e vendimit. Fillimisht, afati për riregjistrimin skadonte më 31 tetor, por Prishtina zyrtare prezantoi planin me tri faza. Edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, u shpreh se do të dëshironte të shihte që përfaqësuesit e serbëve në Kosovë të kontribuojnë në mënyrë konstruktive në uljen e tensioneve. Në Serbi, autoritetet kërkojnë targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Në vitin 2011, Kosova dhe Serbia nisën negociatat për normalizimin e marrëdhënieve, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian. Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen reciproke, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.