Rajoni

Në janar, ndërkombëtarët shkojnë në Beograd për marrëveshje me Kosovën!

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, tha se pret që në gjysmën e parë të muajit janar në Beograd të shkojnë përfaqësues ndërkombëtarë, të cilët do të insistojnë në nevojën që Serbia dhe Kosova të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.

Unë pres që burra e gra të mëdhenj nga bota të vijnë te unë dhe të më thonë se duhet të arrijmë një marrëveshje. Ne po përballemi me një kohë të vështirë për Kosovën dhe Metohinë, por do të luftojmë. E rëndësishme të përmbushen garancitë e bashkësisë ndërkombëtare, në bazë të të cilave serbët në veri të Kosovës i hoqën barrikadat nga pikat kufitare drejt Serbisë. Situata është shumë më e rrezikshme dhe më e vështirë nga sa mendoni. I frikësohem papërgjegjshmërisë së disa përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare dhe arrogancës së autoriteteve të Prishtinës.

Presidenti serb priti në një takim Nikola Nedeljkoviçin nga Beogradi, i cili u lirua më 28 dhjetor, pasi kishte kaluar gjashtë muaj burg në Prishtinë. Ai u dënua me tetë muaj heqje lirie për nxitje të urrejtjes etnike. Më pas, Gjykata e Apelit në Prishtinë ia uli dënimin në gjashtë muaj.

Nedeljkoviç u arrestua më 28 qershor kur serbë nga zona të ndryshme të Kosovës dhe Serbisë po festonin atë që njihet si Beteja e Kosovës në Gazimestan, pranë Obiliqit. Tre oficerë të Policisë së Kosovës e akuzuan se kishte bërtitur “Vriteni Shqiptarin!”. Vuçiç deklaroi se Nedeljkoviç vetëm thërriti “Serbia” dhe bëri një fotografi me një flamur ku shkruhej “Nuk ka dorëzim”. Nedeljkoviç tha se nuk urren askënd, por e do dhe e respekton vendin e tij.

Ndërkaq, pranoi ofertën e Presidentit të Serbisë për t’u angazhuar në punë humanitare në kuadër të Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën.

Do të isha më i lumtur nëse do të mund të ndihmoja njerëzit tanë në Kosovë dhe të bëja punë humanitare.