Sociale

Tetori Rozë, në luftë kundër kancerit të gjirit!

“Tetori Rozë” dhe jo vetëm në fakt, duhet të na kujtojë për një kontroll rutinë të gjirit. Një eko, një mamografi shpëton jetë nëse kanceri i gjirit diagnostikohet në kohë. 710 raste të reja me kancer janë diagnostikuar vetëm gjatë vitit 2022. 197 gra humbën jetën për shkak të kancerit të gjirit.

Në vendin tonë jetojnë 5000 gra me kancer gjiri. Shifrat tregojnë një rritje të incidencës, çka do të thotë se 50.7 në çdo 100 mijë gra preken nga kanceri i gjirit, por shifrat mund të jenë edhe më shumë se kaq.

“Incidenca ka një rritje fare të lehtë, rritje e cila shkon në 7-9% krahasuar me vitin 2015. Shtrimet në spitale kanë një rritje të madhe, pasi përllogariten gati 10 mijë shtrime në vit, por këtu kujdes se një grua mund të jetë paraqitur disa herë në spital për monitorime. Por për herë të parë kemi një ulje të vdekshmërisë. Për vitin 2023 humbën jetën më pak se 200 gra nga 220 që ishin më parë”, tha eksperti Alban Ylli.

Por çfarë duhet të bëjë një grua për një kontroll, eko të gjirit apo mamografi?

“Për depistimin e popullatës e gjithë literatura botërore thotë se përdoret mamografia. Ne e këshillojmë pas moshës 50 vjeç që një grua të bëjë mamografi. Ndërsa eko bëhet pasi gruaja del pozitive me kancer”, tha eksperti.

Gratë me kancer kërkojnë më shumë mbështetje nga strukturat shtetërore, për të pasur akses në shërbimin shëndetësor publik dhe trajtimin me medikamente pa ndërprerje.