Barnat për humbje peshe, të cilat tashmë përdoren nga miliona njerëz për trajtimin e obezitetit, mund të luajnë një rol të rëndësishëm edhe në parandalimin dhe trajtimin e kancerit. Kjo është ajo që sugjerojnë një sërë studimesh të prezantuara në konferencën më të madhe botërore të onkologjisë, të organizuar nga Shoqata Amerikane e Onkologjisë Klinike në Chicago. Një analizë zbuloi se personat që përdornin medikamente të grupit GLP-1 kishin 30% më pak gjasa të zhvillonin kancer të gjirit, formën më të zakonshme të kësaj sëmundjeje në botë, krahasuar me ata që nuk i përdornin këto barna, shkruan The Guardian.
Një studim i dytë tregoi se shtimi i barnave për humbje peshe në trajtimin standard të kancerit të gjirit lidhej me një ulje prej 30% të rrezikut të vdekjes nga sëmundja. Ndërkohë, një studim i tretë zbuloi se pacientët me kancer të gjirit, mushkërive, zorrës së trashë ose mëlçisë, që merrnin medikamente GLP-1, kishin deri në 50% më pak gjasa që sëmundja t’u përhapej në faza më të avancuara.
Medikamentet GLP-1 imitojnë një hormon natyral të organizmit, të quajtur glucagon-like peptide-1, i cili ndihmon në rregullimin e nivelit të sheqerit në gjak dhe kontrollin e oreksit. Fillimisht ato u zhvilluan për trajtimin e diabetit të tipit 2, por sot përdoren gjerësisht edhe për menaxhimin e peshës trupore. Studimi i parë përfshiu mbi 110 mijë gra të moshës 45 deri në 80 vjeç. Rezultatet treguan se përdorueset e barnave GLP-1 kishin 30% më pak gjasa të diagnostikoheshin me kancer të gjirit. Sipas Elizabeth McDonald, profesoreshë e radiologjisë në Universitetin e Pensilvanisë, studimi nuk provon përfundimisht një lidhje shkak-pasojë, por shton provat që këto barna mund të kenë potencial si mjete për parandalimin e kancerit.
Një studim i ri ka zbuluar se disa prej medikamenteve më të përdorura për humbje peshe mund të kenë një efekt të papritur; uljen e varësisë nga alkooli dhe substanca të tjera narkotike. Sipas studimi të publikuar në revistën shkencore The BMJ, barnat e njohura si agonistë të receptorit GLP-1, që përdoren zakonisht për trajtimin e diabetit të tipit 2 dhe obezitetit, mund të reduktojnë ndjeshëm rrezikun e zhvillimit të varësisë nga substanca si alkooli, nikotina, kanabisi, kokaina dhe opioidet.