Rajoni

Në mes të nëntorit apo fillim të dhjetorit, pritet vendimi i BE-së mbi liberalizimin e vizave!

“Një vendim për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet të merret nga mesi i nëntorit apo fillimi i dhjetorit”. Kështu deklaroi sot në Prishtinë, Viola von Cramon, raportuese për Kosovën në Parlamentin Europian, PE duke shfaqur shpresën që ky vendim të jetë pozitiv. Gjithashtu, Von Cramon shpreson të mos vendosen kushtëzime dhe që procesi i liberalizimit të vizave të mos lidhet me ndonjë metodologji të re të Bashkimit Europian.

Vendimi do të jepet diku nga mesi i nëntorit apo fillimi i dhjetorit. Por, pyetja është nëse do të çojë te një sistem i ri i kushteve për vizat, që do të ishte krejtësisht i padrejtë apo përfundimisht do të shohim një datë për vizat?

Gjatë mbledhjes së 13 tetorit të një grupi pune për vizat në Këshillin e BE-së, zyrtarët francezë kërkuan që për Kosovën, procesi të lidhet me funksionalizimin e sistemit për siguri në Europë, ETIAS.

ETIAS është sistem europian për autorizimin dhe informacione rreth udhëtimit. Ky sistem elektronik mundëson verifikimin e të dhënave të qytetarëve të vendeve të treta, që nuk kanë nevojë për vizë, për të hyrë në Zonën Shengen. Për të miratuar këtë sistem, procedura ligjore nisi më 2016-ën dhe sistemi pritet të jetë plotësisht operacional brenda vitit 2023, pa një datë të saktë.

Von Cramon tha se “Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për vizat dhe vendimi për këtë çështje është i vonuar”, por shtoi se “vonesat janë të padrejta për shtetasit e Kosovës”, të vetmit në rajon që nuk mund të udhëtojnë pa viza në Shengen.

Propozimi franko-gjerman, “mundësi e mirë”

Raportuesja për Kosovën në PE foli edhe për dialogun mes Kosovës e Serbisë. Von Cramon kërkoi që vendi të përkrahë një propozim të Francës e Gjermanisë, për të cilin thuhet se si synim ka të shtyjë Prishtinën drejt rrugës europiane.

Unë dua të komentoj për nismën e re franko-gjermane. Po shihet se ka përparim të ri. Eshtë një frymë e re në të gjithë procesin. Po e shohim se në të dy anët, si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë, njerëzit e kanë kuptuar se është koha, momenti që të arrijmë, nëse jo një marrëveshje përfundimtare, të paktën një paketë të pranueshme për të dyja palët.