Bota

Në pritje të ofensivës, Izraeli nis evakuimin e civilëve palestinezë në Rafah!

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit po evakuojnë qytetin Rafah në jug të Rripit të Gazës, para nisjes së operacionit të pritshëm ushtarak. Banorëve të pjesës lindore të qytetit në kufi me Egjiptin, ushtria izraelite iu bëri thirrje të lëvizin në kampin “al-Mauasi” në Mesdhe, disa kilometra në veri. Ata u informuan me mesazhe me tekst, telefon, fletëpalosje e përmes mediave në arabisht.

Izraeli dëshiron të përdorë operacionin ushtarak në Rafah për të shkatërruar batalionet e mbetura të Hamasit, që i ka luftuar në brezin bregdetar nga tetori i kaluar. Ndërkaq, edhe negociatat e radhës Izrael-Hamas të fundjavës në Kajro të Egjiptit, nuk dhanë rezultat. Sërish nuk pati dakordësi mbi një armëpushim të ri e për lirimin e pengjeve në këmbim të të burgosurve palestinezë.

Zyrtarë amerikanë që sipas Associated Press nuk janë të autorizuar të flasin publikisht për këto bisedime të ndjeshme, thanë se plani i detajuar nga izraelitët nuk ka ndryshuar qëndrimin e administratës amerikane që një ofensivë në Rafah do të rrezikonte shumë jetë të civilëve të pafajshëm palestinezë.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu është zotuar se do të kryejë operacion ushtarak në Rafah, pavarësisht paralajmërimeve nga Biden e të tjerë zyrtarë perëndimorë se një veprim i tillë do të rezultonte në vdekjen e më shumë civilëve dhe do të përkeqësonte situatën tashmë të rëndë humanitare.

Administrata Biden ka thënë se do të ketë pasoja për Izraelin nëse kryen operacion pa një plan të besueshëm për mbrojtjen e civilëve.

“Në mungesë të një plani të tillë, ne nuk mund të mbështesim një operacion të madh ushtarak në Rafah sepse dëmi do të ishte përtej të pranueshmes”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, të premten në mbrëmje gjatë Forumit Sedona, i organizuar në Arizona nga Instituti McCain.

Rreth 1.5 milion palestinezë janë strehuar në Rafah për shkak të luftës që nisi më 7 tetor kur radikalët e Hamasit sulmuan Izraelin, duke vrarë afro 1.200 persona e rrëmbyer 250 të tjerë.

Agjencia për Ndihmë e Kombeve të Bashkuara tha se qindra mijëra persona “do të ishin në rrezik që të vriteshin” nëse Izraeli sulmonte Rafahun. Ky qytet që gjendet në kufi me Egjiptin, po ashtu është pika nga ku hyn ndihma humanitare për palestinezët e zhvendosur nga lufta.