Celebrities Music Showbiz

Nga tekstet e tij kaq origjinale e deri tek bashkëpunimet e ardhshme, Killua zbulon më shumë!

Aris Demaj, apo Killua siç njihet me emrin e tij të artit, është padyshim një nga artistët më premtues dhe të talentuar të tregut tonë. Duke nisur nga tekstet e tij aq origjinale, thirrjet dhe mesazhet që ai përçon tek publiku, padyshim që duhen vlerësuar. Por për sa i përket detajeve të jetës së tij personale por edhe profesionale, artisti nuk ka ngurruar që të na zbulojë më shumë.

Tekste të goditura, me mesazhe të forta dhe here-herë që ngrenë dhe pikëpyetje. A është ky një ndër qëllimet e tua që publiku të mendojë më shumë?

Nuk e di a i kanë kuptuar tekstet. Unë vazhdoj të bëj timen. Unë kam feedback, por këto janë këngë që kërkojnë impenjim dhe me kohët që janë tani, njerëzit kanë një vëmendje të kufizuar. Një lloj audience të caktuar e kam, janë me mijëra veta që i pëlqejnë dhe më shkruajnë. Killua e ka më të thjeshtë të kapi klikime, sepse është më cool dhe i flet një gjenerate që kërkon muzikë të re dhe gjëra të reja. Sir-A është si mjek popullor (qesh).

Kënga “Një ditë e ka dhe Korbi”, pjesë e albumit, është publikuar pikërisht me 14 shkurt dhe siç dhe ti ke shkruar i dedikohet një femre që e ke takuar vetëm një herë, në një festë private. Kaq përshtypje, kimi të dha biseda me të saqë i dedikove dhe një këngë?

E vërteta ishte që ndodhesha rastësisht aty, nisi një bisedë. Ishte një vajzë që me sa mora vesh unë paragjykohej. Këtë e tregon edhe teksti i këngës. Në fund të fundit ne të gjithë presim dashurinë.

Ndërkohë klipi është disi provokues, romantik… E ke pasur të vështirë ta gjesh vajzën protagoniste në klip? Dhe ky klip a do të thotë që Killua nuk njeh limite në art?

Vajza që kam zgjedhur quhet Kaltrina, është një vajzë që bën modeling nudo. Mua më duhej një personazh që të dilte nudo, sepse në një moment tek biseda që kam bërë me vajzën kemi diskutuar që: e vërteta zhvesh, por ne nuk guxojmë ta shohim pa rroba”. E vërteta është kudo rreth nesh, por ne e veshim me mendimet tona, me gjykimet dhe imagjinatën tonë. Prandaj ajo duhej të ishte e zhveshur.

Video të tjera ke gati për publikim? Ndonjë bashkëpunim rrugës?

Killua ka dy. Kemi albume prapë, kemi punë për të bërë, bashkëpunime me Sardi dhe Arnon. Të kësaj egos së re do të bëj pak më rrallë se nuk mund të shëroj çdo ditë, është shumë e kushtueshme.