250 mjekë e personel shëndetësor nga Kosova do të vaksinohen sot në Kukës me vaksinat anti-COVID/19 të rerzervuara për ta nga autoritetet në Shqipëri. Nesër do të vaksinohen 250 të tjerë. Ministri në detyrë, Armend Zemaj informoi homologen Ogerta Manastirliu. Ministria e Shëndetësisë së Kosovës thotë se lista e mjekëve të Kosovës i është dërguar tashmë autoriteteve shqiptare, të cilat kanë shprehur më herët gatishmërinë që bluzat e bardha nga Kosova të vaksinohen në Kukës.
Më herët, Shqipëria pohoi se ka vënë 100 doza të vaksinës kundër koronavirusit në dispozicion të mjekëve nga Kosova, e cila mbetet vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor që ende nuk e ka nisur fushatën e imunizimit kundër koronavirusit.
Kosova pret që të marri falas 100.800 doza të vaksinës së “AstraZeneca”-s përmes programit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX. Këto vaksina është paralajmëruar se do të arrijnë në muajin mars. Zyrtarët qeveritarë po ashtu kishin deklaruar se kanë arritur marrëveshje me kompaninë Pfizer për sigurimin e 500.000 dozave të vaksinës, por nga kjo kompani, kanë deklaruar më herët për “REL” se ende janë në diskutim me Qeverinë e Kosovës.