Rajoni

Normalizimi i marrëdhënieve, kryenegociatorët e Kosovës e Serbisë takohen më 4 prill!

Eshtë caktuar për të martën e ardhshme, më 4 prill, takimi i kryenegociatorëve të Kosovës e të Serbisë. Datën e rikonfirmuan zyrtarë të Bashkimit Europian në Bruksel. Në një deklaratë, zyrtarët europianë theksuan:

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç do të shkojnë në Bruksel, për të diskutuar hapat e ardhshëm në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

Një ditë më parë, zëdhënësi i Unionit, Peter Stano, vuri në dukje se ky takim do të organizohet me ftesë të ndërmjetësuesit të Dialogut, Mirosllav Lajçak, si i dërguari i BE-së.

Takimi i negociatorëve kryesorë është i pari pas bisedimeve në Ohër të Maqedonisë së Veriut e ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksander Vuçiç arritën një dakordësi lidhur me zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve. Dokumenti nuk u firmos nga Vuçiç, por BE-ja nuk ka dyshime se kjo është një marrëveshje dhe e konsideron të tillë.

Që muajin e kaluar, më 27 shkurt, Kurti e Vuçiç ranë dakord në lidhje me tekstin e akordit në fjalë.

Para ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, si dhe drejtuesve të shteteve të Bllokut europian, kryediplomati i Unionit, Josep Borell raportoi në lidhje me rezultatin e takimit në Ohër.

Në samitin e mbajtur në datat 23 dhe 24 mars në Bruksel, liderët e BE-së përshëndetën marrëveshjen e arritur nga liderët e Kosovës e të Serbisë, si dhe u bënë thirrje të dyja palëve të “përmbushin detyrimet e tyre në mënyrë të shpejtë e në mirëbesim”.

Me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, si dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve prej vitit 2011. Deri tani, Prishtina e Beogradi kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar. Kjo ka bërë që palët të fajësojnë njëra-tjetrën për bllokime.