Bota Tech

Nxiti dhunë, “YouTube” i pezullon kanalin Donald Trump!

“YouTube” vendosi të pezullojë për një javë kanalin e Donald Trump-it për postimin e një videoje që nxit dhunë. Shkelja e rregullave nga Presidenti në ikje i Shteteve të Bashkuara çoi në këtë vendim të kompanisë në pronësi të Google-it.

Nisur nga shqetësimet për sigurinë, gjithashtu platforma amerikane për shpërndarjen e videove në internet pezulloi pa afat mundësinë e komenteve në kanalin e shefit aktual të Shtëpisë së Bardhë. Vendimi i YouTube-it pason ato të Twitter-it, Facebook-ut, Snapchat-it e Twitch-it nisur nga ngjarjet e 6 janarit kur mbështetës të Trump-it sulmuan Kongresin për të mos lejuar certifikimin e fitores së Joe Biden-it.

Së fundmi, FBI-ja ka paralajmëruar protesta të mundshme të armatosura në të gjithë Shtetet e Bashkuara, përpara inaugurimit të Presidentit të zgjedhur, Joe Biden, më 20 janar. Agjencia federale e zbatimit të ligjit tha se “protestat e armatosura” mund të planifikohen në të 50 kryeqytetet e shteteve dhe në ndërtesën e Kongresit, nga data 16 janar deri së paku më 20 janar.