Bota Health & Beauty

OBSH zbulon të dhëna tronditëse për industrinë e qumështit formulë për bebet!

Prindërit dhe gratë shtatzëna në mbarë botën janë të ekspozuar ndaj marketingut agresiv të qumështit formulë për fëmijë, sipas një raporti të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Raporti jep detaje për praktikat shfrytëzuese të marketingut të përdorura nga industria e qumështit formulë për foshnjat dhe tregon se prindërit, veçanërisht nënat, po targetohen në mënyrë tinëzare dhe të vazhdueshme në internet.

Në raportin e ri të OBSH-së me titull “Shtrirja dhe ndikimi i strategjive të marketingut digjital për promovimin e zëvendësuesve të qumështit të gjirit” përshkruan teknikat e marketingut digjital të krijuara për të ndikuar te vendimet që marrin familjet e reja se si të ushqejnë foshnjat e tyre. Nëpërmjet mjeteve si aplikacionet, grupet virtuale ose “klubet e foshnjave”, influencuesit me pagesë në rrjete sociale, konkurset, forumet ose shërbimet e këshillimit, kompanitë e qumështit formulë për foshnjat mund të blejnë ose mbledhin informacione personale dhe t’u dërgojnë paketa të personalizuara grave dhe nënave të reja.

Kompanitë e qumështit formulë për foshnja postojnë përmbajtje në llogaritë e tyre të rrjeteve sociale rreth 90 herë në ditë, duke arritur në 229 milionë përdorues; që përfaqëson tre herë më shumë njerëz sesa ata që arrihen nga postimet informuese për ushqyerjen me gji në llogaritë jokomerciale. Dr.Francesco Branca, Drejtor i Departamentit të Ushqyerjes dhe Sigurisë Ushqimore të OBSH-së tha se:

Promovimi i formulave komerciale të qumështit duhet të kishte përfunduar dekada më parë. Fakti që kompanitë e qumështit të formulave tani po përdorin teknika marketingu edhe më të fuqishme dhe tinëzare për të rritur shitjet e tyre është i pafalshëm dhe duhet të ndalet.

OBSH thekson se përhapja e marketingut global digjital të qumështit formulë shkel Kodin Ndërkombëtar të Marketingut të Zëvendësuesve të Qumështit të Gjirit, i cili u miratua nga Asambleja Botërore e Shëndetit në vitin 1981. Kodi është një marrëveshje historike për shëndetin publik, i krijuar për të mbrojtur publikun dhe nënat nga praktikat agresive të marketingut nga industria e ushqimit formulë për fëmijë që ndikojnë negativisht te ushqyerja me gji.

Sipas OBSH-së, ushqyerja me gji është mënyra më e mirë për t’u siguruar foshnjave lëndët ushqyese që u nevojiten për rritje dhe zhvillim të shëndetshëm dhe mund të parandalojë 13% të vdekjeve të fëmijëve. Ushqyerja me gji gjithashtu vepron si vaksina e parë e foshnjave, duke i mbrojtur bebet nga shumë sëmundje të zakonshme të fëmijërisë.