Celebrities Gossip Showbiz

Pas akuzave për trafikim seksual, Youtube merr “hak” ndaj këngëtarit R.Kelly!

Para disa ditësh u bë e ditur se këngëtari i njohur R.Kelly është shpallur fajtor për të 9 akuzat e tij për trafikim dhe abuzim seksual. Prokurori amerikan për Qarkun Lindor të New York-ut konfirmoi dënimin përmes një postimi në Twitter. Artisti amerikan është shpallur fajtor për abuzimin seksual të grave dhe fëmijëve gjatë dy dekadave.

Ndërkaq, pas gjithë kësaj buje mediatike, së fundmi “YouTube” ka njoftuar se ka hequr kanalet e këngëtarit R&B nga platforma. Dy nga kanalet e tij, “RKellyTV” dhe “RKellyVevo”, janë hequr nga një prej platformave më të mëdha të videove në botë dhe këngëtari nuk do të jetë më në gjendje të krijojë ose zotërojë ndonjë kanal tjetër në YouTube.

Katalogu i muzikës së tij megjithatë do të jetë i disponueshëm në “YouTube Music”, shërbimi i transmetimit audio të YouTube dhe videot e ngarkuara nga përdoruesit e tjerë të YouTube do të vazhdojnë të jenë në dispozicion. Nuk dihet nëse Spotify, Apple dhe Amazon gjithashtu do të ndërmarrin veprime të ngjashme mbi muzikën e R.Kelly që gjendet në platformat e tyre.

Muzika e 54-vjeçarit është zhdukur kryesisht nga radio, por është ende e disponueshme në disa platforma. Hiti i tij i suksesshëm “I Believe I Can Fly” ka qenë prej shumë vitesh një zgjedhjet kryesore në ceremonitë e diplomimit. Rikujtojmë, se artisti pritet të dënohet më 4 maj 2022 dhe do të përballet me një dënim minimal të detyrueshëm prej 10 vjet burg, por mund të marrë deri në një dënim me burg të përjetshëm.

Në një intervistë të fundit, ish-gruaja e artistit, Drea Kelly, zbuloi se zemra e saj është e thyer për shkak të fëmijëve pas raportimeve për abuzim dhe trafikim seksual nga reperi. Pas këtij lajmi, Drea, me të cilën ai ka tre fëmijë, u shfaq në ITV në emisionin “Good Morning Britain” për të diskutuar më shumë mbi ngjarjen.