Celebrities

Pas akuzave të bashkëshortit, Ilary Blasi zgjedh heshtjen!

Pasi vendosën t’i japin fund martesës, në rrugën drejt divorcit nuk ka më paqe mes Francesco Totti-t e Ilary Blasi-t, aq më shumë që një intervistë e ish-kapitenit të Romës për gazetën italiane “Corriere della Sera”, duket se i ka hedhur benzinë zjarrit. Totti vendosi të flasë hapur dhe akuzoi prezantuesen e njohur të ekranit se e ka tradhëtuar, madje me një person për të cilin nuk dha emër, por la të kuptohej se lë shumë për të dëshiruar.

Nëna e tre fëmijëve të tij reagoi, edhe pse jo në mënyrë direkte. Në emër të saj foli avokati mbrojtës, Alessandro Simeone. Për gazetën “La Repubblica”, përfaqësuesi i Ilary-t vuri në dukje se “fjalët e Totti-t nuk do të ndryshojnë stretegjinë komunikuese dhe ligjore” të klientes së tij.

Ndërkohë, “La Repubblica” shkruan se në bisedat më miqtë, Blasi ka vazhduar të përsërisë se “gjithnjë ka mbrojtur fëmijët e do të vazhdojë t’i mbrojë”. Pra, edhe pas deklaratave aspak të këndshme të ish-futbollistit, Ilary Blasi mban të njëjtën linjë qëndrimi e preferon heshtjen.

Të cituar në shtypin italian, miq e bashkëpunëtorë të moderatores së famshme në Itali, thanë se edhe pas intervistës, nënvizoi se “mbrojtja e fëmijëve është në krye të prioriteteve për të”. Për Ilary-n, “çdokush është përgjegjës për veprimet e veta”.

Intervista e bashkëshortit shihet si një përpjekje për të përshpejtuar rrugëtimin e ndarjes që nisi me synimin për ta bërë gjithçka sa më pak të dhimbshme për palët e përfshira, në veçanti fëmijët e çiftit. Tani, gjithçka zhvendoset në sallën e gjyqit, aty ku nuk ka dyshime se Ilary do të bëjë t’i dëgjohet zëri.