Gossip Showbiz

Mediaset e konfirmon: “Grande Fratello Vip” do të rikthehet dhe do të drejtohet nga…

Mediaset ka konfirmuar se rreth mesit të muajit mars do të rikthehet emisioni “Grande Fratello Vip” në kanalin Canale 5. Prezantuese e emisionit do të jetë Ilary Blasi. Ky edicion do të ketë ndryshime në format; do të jetë më dinamik, me ritëm më të shpejtë dhe do të zgjasë më pak se edicionet e kaluara. Programi do të transmetohet për gjashtë javë. Produksioni do të realizohet nga Endemol Shine Italy, e cila ka premtuar një version të ri të emisionit, por pa humbur thelbin e “Grande Fratello”.

Mediat italiane kanë raportuar së fundmi për nisjen e hetimeve ndaj moderatorit të njohur italian, Alfonso Signorini, lidhur me pretendime të rënda që kanë të bëjnë me abuzim me pushtetin dhe kërkesa për favore seksuale në këmbim të përfshirjes në reality-show-n “Grande Fratello”. Prokuroria e Milanos ka hapur një procedurë hetimore pas një kallëzimi penal të paraqitur nga një ish-pjesëmarrës i programit, Antonio Medugno, i cili pretendon se ka qenë subjekt presioni dhe shantazhi.

Akuzat përfshijnë dyshime për sjellje të papërshtatshme dhe shfrytëzim të rolit profesional, por deri më tani nuk ka asnjë vendim gjyqësor apo provë të konfirmuar publikisht. Çështja mori përmasa më të mëdha pas deklaratave të bëra nga figura të njohura të showbiz-it italian në rrjete sociale dhe platforma online, të cilat flasin për një të ashtuquajtur “sistem favorizimi”. Megjithatë, autoritetet ligjore theksojnë se bëhet fjalë vetëm për pretendime që po verifikohen dhe se vlen prezumimi i pafajësisë.