Bota Tech

“Pew Research”: 6 nga 10 amerikanë kanë bërë një pushim nga Twitter-i!

Vitin e kaluar, gjashtë nga 10 amerikanë bënë një shkëputje nga Twitter-i. Në këtë përfundim del një sondazh i qendrës së studimit “Pew Research”, bazuar në pyetjet e 10 mijë e 701 përdoruesve. Elon Musk u bë pronar i platformës në tetor 2022 dhe pak ditë më parë vendosi që CEO i Twitter-it të jetë një grua, Linda Yaccarino, e cila vjen nga NBC Universal. Në një raport, Pew shkruan:

Gjashtë nga 10 amerikanë që kanë përdorur Twitter-in në 12 muajt e fundit, thonë se kanë bërë një shkëputje nga platforma për një periudhë prej disa javësh ose edhe më shumë gjatë asaj kohe.

Në një analizë të veçantë, kompania studioi edhe sjelljen aktuale të 1 mijë e 2 përdoruesve më aktivë të Twitter-it e konstatoi një rënie të dukshme të postimeve, në muajt pas blerjes nga Elon Musk. Studimi vëren:

Numri mesatar i tweet-eve mujore nga këta përdorues u ul me rreth 25% pas blerjes. Në mesin e përdoruesve të Twitter-it, më shumë gra se burra thonë se kanë bërë një pushim nga platforma, vitin e kaluar. Raporti është 69% kundrejt 54%.

Po ashtu, sondazhi pyeti përdoruesit se sa gjasa ka që ata të përdorin platformën një vit nga tani?

40% thanë se ka shumë gjasa ta përdorin, 35% ka të ngjarë ta përdorin atë, një e katërta e përdoruesve të anketuar janë përgjigjur se nuk ka shumë ose aspak gjasa të jenë në platformë brenda një viti.

Musk përfundoi blerjen prej 44 miliardë dollarësh të Twitter-it më 28 tetor të vitit të kaluar dhe menjëherë la gjurmën e tij, duke shkarkuar drejtuesit kryesorë të kompanisë e mes masave të tjera pushoi nga puna qindra punonjës.

Nën drejtimin e Musk-ut, biznesi kryesor i reklamave të Twitter-it vuajti disi kur disa kompani ndaluan fushatat e tyre promovuese me pagesë dhe kjo pasi shërbimi i mesazheve sociale pa një rritje të fjalimeve abuzive e retorikës fyese.

Kujtojmë edhe se Elon Musk lejoi përdoruesit e ndaluar më parë që të ktheheshin në platformë e krijoi polemika politike me deklarata të tilla si pretendimi se media ishte raciste kundër të bardhëve e ndaj aziatikëve.