Bota Tech

Largimi i Musk-ut nga kreu i Twitter-it më konkret/Pas 6 javësh zëvendësohet nga një grua!

Miliarderi me origjinë nga Afrika e Jugut, Elon Musk deklaroi se kompania në pronësi të tij, Twitter do të drejtohet nga një CEO i ri.  Po përmes Twitter-it, Elon Musk theksoi se CEO i ri do të jetë një grua. Por, nuk dha detaje për emrin dhe informoi vetëm se pasuesja e tij do të nisë punë pas 6 javësh.

Elon Musk vuri në dukje se ai do të mbetet kryetar ekzekutiv, duke mbikëqyrur produktet, softuerët e sistemet e Tesla-s, aksionet e së cilës u rritën me më shumë se 2%, një shenjë që investitorët u shprehën të kënaqur me lëvizjen e fundit.

Duhet thënë se kohët e fundit, disa investitorë të Tesla-s ishin të shqetësuar se Musk ka qenë shumë i lodhur nga drejtimi i Twitter-it dhe se ai duhej të ridrejtonte kohën e tij, për të udhëhequr kompaninë e automjeteve elektrike, në të cilën po ashtu është CEO.

Në muajin prill, një numër aksionerësh progresivë të Tesla-s i kërkuan publikisht bordit të kompanisë, që të sigurojë që Musk t’i japë më shumë kohë prodhuesit të automjeteve.

Musk, i cili gjithashtu është në rolin e CEO-s së prodhuesit të raketave të ripërdorshme “SpaceX”, përfundoi blerjen prej 44 miliardë dollarësh të Twitter-it më 28 tetor të vitit të kaluar dhe menjëherë la gjurmën e tij, duke shkarkuar drejtuesit kryesorë të kompanisë e mes masave të tjera pushoi nga puna qindra punonjës.

Nën drejtimin e Musk-ut, biznesi kryesor i reklamave të Twitter-it vuajti disi kur disa kompani ndaluan fushatat e tyre promovuese me pagesë dhe kjo pasi shërbimi i mesazheve sociale pa një rritje të fjalimeve abuzive e retorikës fyese.

Kujtojmë edhe se Elon Musk lejoi përdoruesit e ndaluar më parë që të ktheheshin në platformë e krijoi polemika politike me deklarata të tilla si pretendimi se media ishte raciste kundër të bardhëve e ndaj aziatikëve.