Art & Kulturë

Prej ditësh i infektuar, humb betejën me COVID-19 aktori Guljelm Radoja

Pandemia e Koronavirusit ka shkaktuar një tjetër humbje të rëndë në vend, duke i marrë jetën një tjetër artisti shqiptar. Aktori Guljelm Radoja nuk ia doli dot në luftën e tij me COVID-19, duke e humbur betejën. Sot ai mbylli sytë përgjithmonë në moshën 75 vjeçare.

Prej disa ditën ishte infektuar me Sars-Cov2 dhe pavarësisht se ndodhej nën kujdesin e mjekësve, gjendja e tij u përkeqësua ditën e djeshme në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ ku edhe ndërroi jetë nga virusi vdekjeprurës.

Lajmi për ndarjen nga jeta të aktorit të mirënjohur është konfirmuar nga djali i tij, pianisti Red Radoja, që e shoqëron me disa fjalë të ndjera për babanë e tij.

Pushofsh në paqe bab! Do ndrijnë akoma sytë e tu mbi ballin e vajzës, djalit, mbesave dhe nipit të vogël…Repose en paix papa …Tes yeux continuent à briller sur le front de tes enfants et petits-enfants.

Kush ishte Guljelm Radoja?

Aktori Guljelm Radoja lindi në vitin 1945 në Shkodër. Artisti ka interpretuar në të gjitha skenat teatrore në vend. Në kinematografi është angazhuar në më shumë rreth 30 role, ku ndër më të rëndësishmit është ai i Petro Nini Luarasit te filmi “Kush vdes në këmbë” apo edhe te “Gjurma”, “Mësonjëtorja”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, “Kolonel Bunker” etj.
Guljelm Radoja është nderuar me titullin “Artist i Merituar”.