Bota

Presidenti Biden: CIA prishi planet e Putinit!

Presidenti amerikan, Joe Biden vlerëson CIA-n për krijimin e një grope gjigante në qëllimet e Vladimir Putinit, duke zbuluar planet e presidentit rus për të pushtuar Ukrainën, të cilat i finalizoi me urdhërin e dhënë më 24 shkurt të këtij viti. Në të parën vizitë si shef i Shtëpisë së Bardhë në selinë e CIA-s në Langley të Virxhinias, për 75-vjetorin e krijimit të agjencisë së Inteligjencës, Biden u shpreh:

Kjo ishte falë punës sonë të jashtëzakonshme të profesionistëve tanë të shërbimeve sekrete. Ne mundëm të paralajmëronim botën për atë që po planifikonte kreu i Kremlinit në Ukrainë.

Në një tjetër zhvillim, ushtarë ukrainas, të trajnuar nga forcat britanike për t’i ndihmuar në luftën kundër Rusisë, tashmë kanë mbërritur në Britaninë e Madhe ku edhe nisën stërvitjen disajavore. Grupi i parë në programin ushtarak të udhëhequr nga Britania e Madhe u takua me ministrin e Mbrojtjes, Ben Wallace. Ndërkohë, mësohet se programi do të trajnojë deri në 10 mijë ukrainas gjatë muajve të ardhshëm. Ky program i ri trajnimi ambicioz është faza tjetër në mbështetjen e  Britanisë së Madhe për forcat e armatosura të Ukrainës, në luftën e tyre kundër agresionit rus.

Duke përdorur ekspertizën e klasit botëror të ushtrisë britanike, ne do ta ndihmojmë Ukrainën të rindërtojë forcat e saj e të rrisë rezistencën ndërsa mbrojnë sovranitetin e vendit të tyre dhe të drejtën për të zgjedhur të ardhmen.

Për më shumë, Britania e Madhe ka dhuruar gjithashtu veshje e pajisje për të mbështetur ushtarët ukrainas në trajnimin dhe vendosjen e tyre në Ukrainë.

Rreth 4 muaj e gjysmë nga lufta ruse në Ukrainë, Shtetet e Bashkuara morën vendim t’i dërgojnë një sasi të re ndihme Kievit, duke synuar të ndihmojnë forcat ukrainase të shkatërrojnë kapacitetet ushtarake të Rusisë. Kjo do t’i dëmtonte aftësitë për të vazhduar luftën në rajonin lindor të Donbasit e më gjerë. Paketa e re 400 milion dollarëshe, përfshin 4 sisteme të tjera raketash të artilerisë së lartë e municione artilerie me saktësi të lartë goditëse.