Politikë

Presidentja e Komisionit Europian në Tiranë, Rama: Në 2024 gati hekurudha Tiranë-Rinas-Durrës

Kryeministri Edi Rama priti sot Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila do të qëndrojë për takime të rëndësishme në Tiranë pasditen e sotme.

Në një deklaratë nga Kryeministria, Rama, ka zbardhur disa nga diskutimet që ka bërë me Von der Leyen, që nga kriza që ka sjellë lufta në Ukrainë e deri tek investimet e reja të BE në Ballkanin Perëndimor.

Në konferencën e përbashkët me Ursula von der Leyen, kryeministri Rama u shpreh se në pranverën e vitit 2024 do të jetë gati hekurudha Tiranë-Durrës-Rinas.

“Jemi të vetëdijshëm që falë jush kemi pasur një mbështetje edhe më të madhe pas tërmetit katastrofike. Jemi të vetëdijshëm që edhe në këtë situatë të vështirë, falë qasjes së komisionit ndaj Ballkanit Perëndimor, përsëri ne nuk jemi vetëm. Kështu që unë dua ta falënderoj shumë Presidente.”

“Jemi në kushte që mund të themi që në pranverën 2024 do kemi hekurudhën, Tiranë Durrës Rinas. Takimi i sotëm ka një vlerë të veçantë. Presidentja na ka informuar për situatën financiare në kushtet e luftës në Ukrainë, por pasojat po ndihen në të gjithë BE. Sidomos në inflacion dhe në çmimin e energjisë. E informova për vendosmërinë për mbështetjen që kemi ne për familjet dhe biznesin e vogël.”

“Folëm edhe për 6 dhjetorin, Samitin e BE me Ballkanin Perëndimor. Liderët Europian dhe Ballkanit do vijnë në Tiranë për këtë samit” tha Rama.

Më pas, në orën 17:20, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen do të pritet në një takim nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.