Aktualitet

Hekurudha Tiranë-Durrës dhe zgjatimi në Rinas ankimohen sërish pranë BERZH-it!

Telashe të tjera për hekurudhën Tiranë-Durrës dhe zgjatimin e saj në Rinas. Këtë herë, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka kërkuar që një ankesë e bërë nga bizneset në zonën e Domjes të marrë zgjidhje. Në një dokument të bërë publik nga vetë banka, referuar një ankese të dorëzuar në nëntor 2024 e që aktualisht është në fazë vlerësimi, nënvizohet se për subjektet ankimuese janë shkaktuar dëme financiare.

Më 13 nëntor 2024, dy biznese paraqitën një ankesë në IPAM në lidhje me Projektin e Hekurudhave Shqiptare të BERZH-it (OP ID 48466). Kërkuesit pretendojnë se janë dëmtuar bizneset e tyre për shkak të ndërtimit të një rruge hyrëse paralele me hekurudhën në Domje.

Ata ndanë se për ndërtimin e rrugës hyrëse do të duhej të hiqnin dorë nga një pjesë e tokës private, e cila do të ndikonte në funksionimin e bizneseve të tyre e do të çonte në humbje të të ardhurave. Ata kërkojnë një shtrirje alternative për rrugën hyrëse për të shmangur dëmtimin e bizneseve. Kërkuesit pohojnë edhe mungesën e konsultimeve publike e transparencës në vendimmarrje, thuhet në përmbledhjen e kërkesës të bërë në faqen e BERZH-it.

Më herët, një tjetër kërkesë u bë për po të njëjtin projekt lidhur me një rrugë aksesi. Projekti për hekurudhën Tiranë-Durrës është shoqëruar me vonesa të shuma sidomos lidhur me shpronësimet që kanë marrë një kohë të gjatë. Për këtë projekt, punimet kanë filluar më 2021-in dhe vijojnë akoma sa i takon ndërtimit të trasesë. Pak kohë më parë u prokurua ndërtimi i stacioneve.

Fillimisht, ky projekt u financua me një kredi rreth 70 milion euro nga BERZH-i ndërsa vetëm në fillim të këtij viti, qeveria kërkoi shtesë me 40 milion euro të kësaj kredie për të mbyllur punimet. Sipas argumentit të qeverisë, për këtë shtesë, shkak ishte bërë shtrenjtimi i materialeve të ndërtimit, të cilët e kanë rritur dukshëm faturën, ndërkohë që një pjesë e kësaj shtese do të shkojë për ndërtimin e stacioneve.

Hekurudha Tiranë-Durrës dhe shtesa në Rinas kanë një gjatësi 39 kilometra. Në këtë hekurudhë, trenat do të jenë elektrikë e do të përshkojnë distancën për 22 minuta. Në total do të jenë 11 stacione përgjatë gjithë linjës./Monitor