Botë e Çuditshme Tech

Prezantohet roboti që i kryen të gjitha punët, madje bën edhe vaksinën!

Një robot i ri, i quajtur Beomni 1.0, do të prezantohet javën e ardhshme në Panairin e Pajisjeve Elektronike në Las Vegas. Roboti modern, mund të kryejë shumë detyra, si të hapë shishet, t’i hedhë kripë ushqimit dhe madje të bëjë edhe injeksione me gjilpërë, si të ishte një infermier i vërtetë. Ai është gjithashtu në gjendje që të mbajë pesha deri në 30 kilogramë.

Edhe pse versioni fillestar është i kontrolluar nga njerëzit nga distanca, truri artificial i robotit është programuar që të mësojë të kryejë në mënyrë të pavarur këto detyra. Beomni është testuar me sukses në një shtëpi për të moshuarit në Kolorado, SHBA, kur për tri ditë u mati temperaturën, u kontrolloi grykët dhe madje edhe kërceu me disa nga pacientët për t’i lumturuar.

Me trup njerëzor, roboti është i vendosur mbi katër rrota, për të ecur me lehtësi në rrugë, por edhe në rërë, llucë dhe borë. Krijuesit e tij, nga kompania “Beyond Imagination”, besojnë se Beomni do të jetë gjithashtu në gjendje të punojë nëpër magazina, të marrë arkat me fruta dhe të bëjë edhe riparime elektrike. Roboti pritet të dalë në treg brenda 2-3 vitesh. Momentalisht çmimi i tij është 130 mijë euro, por parashikohet të zbresë deri në 66 mijë euro kur të shitet masivisht.

Së fundmi, japonezët kanë krijuar robotin që luan basketboll, më saktësisht deri më tani ka mundur vetëm të gjuaj nga vendi në drejtim të koshit dhe asnjëherë nuk ka dalë bllof. Në Saitama Super Arena, japonezët në gusht prezantuan robotin që luan basketboll, pak para fillimit të lojërave Olimpike në Tokio.

Ata kanë bërë paksa humor duke thënë se është si kundërpërgjigje ndaj amerikanëve konkretisht Steph Curry, lojtarit apo goshashënuesit më të mirë të të gjitha kohërave. CUE5 mund që për më pak se një minutë të jetë i saktë në gjuajtje nga mesi i fushës, për tri pikë dhe nga të gjitha pozitat e tjera.