Music

Priten protesta kundër përfaqësueses së Izraelit, Eurovisioni me masa të shtuara sigurie!

Suedia do të presë këtë vit Eurovisionin me masa të shtuara sigurie për vizitorët, mes protestave të planifikuara kundër pjesëmarrjes së Izraelit. Konkursi, më i madhi në botë i këtij lloji, mbahet sivjet në Malmo me datat, 7-11 maj dhe pritet të tërheqë 100 mijë vizitorë në qytetin e tretë më të madh të Suedisë.

Organizatorët planifikojnë një homazh të veçantë për grupin suedez të popit ABBA, i cili fitoi Eurovisionin 50 vjet më parë. Unioni Evropian i Transmetimit (EBU), që organizon konkursin, ka refuzuar thirrjet që Izraeli të përjashtohet për shkak të luftës në Gaza.

Polemikat mbi konfliktin kanë goditur tashmë ngjarje të ndryshme kulturore në të gjithë Evropën. Fokusi më i madh do të jetë tek konkurrentja izraelite Eden Golan, pasi protesta të shumta të mëdha pro-palestineze janë planifikuar jashtë eventit të Eurovisionit në Malmo. Izraelit iu lejua pjesëmarrja pasi pranoi të modifikonte tekstin e këngës me titullin fillestar “Shiu i Tetorit”, për të cilin EBU tha se i referohej sulmeve të Hamasit në Izrael më 7 tetor.

Pas refuzimit të dy propozimeve për këngë, të konsideruara shumë politike dhe për rrjedhojë në kundërshtim me rregullat e neutralitetit politik, Izraeli pranoi të bëjë kompromis për të marrë pjesë në Eurovision. Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU), organi që organizon konkursin e famshëm, la të kuptohej më parë se mund të refuzonte kandidaten izraelite, këngëtaren 20-vjeçare ruso-izraelite Eden Golan, për shkak të natyrës “politike” të këngës së saj.

Eden Golan, përfaqësuesja e Izraelit për konkursin “Eurovision 2024”, fillimisht kishte paraqitur një baladë të quajtur “October Rain (Shiu i Tetorit)”, e cila mendohet se i referohej sulmeve të Hamasit më 7 tetor. Megjithatë, kënga u ndalua me arsyetimin se shkeli rregullat për neutralitet politik. Pas një premtimi fillestar për mosndryshimin e tekstit, transmetuesi publik i Izraelit Kan, i cili është përgjegjës për zgjedhjen e përfaqësuesit të vendit, më vonë u pajtua të ndryshojë këngën pas thirrjes së presidentit izraelit Isaac Herzog. Versioni i përditësuar i këngës tani vjen me titullin “Hurricane (Uragani)”.