Aktualitet

Privatizimi i kompleksit Partizani, PS do t’i drejtohet SPAK-ut për të dërguar prova të reja!

Ditën e sotme në SPAK do të depozitohen prova të reja për privatizimin e kompleksit Partizani. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale, shprehet se ka shumë besim se drejtësia e re do t’i shkojë deri në fund.

Kush mendon se kemi hequr dorë nga akuzat tona gjatë kohës kur ishim në opozitë, e ka shumë gabim. Prej vitit 2012 dhe pa asnjë ndërprerje vit pas viti, kam denoncuar grabitjen e kompleksit Partizani, duke përvetësuar ndërtesat dhe fushat e futbollit mu në qendër të Tiranës. Sot në SPAK depozitohen prova të reja të kësaj megagrabitjeje. Kam shumë besim se Drejtësia e re do t’i shkojë deri në fund.

Sipas Ballës, skema më e paimagjinueshme e pastrimit të parave është ajo e kompleksit Partizani, për të cilin maxhoranca hedh akuzat se është në pronësi të Berishës. Gjatë një debati të dy muajve më parë në Kuvend, Balla shprehej:

Të shkojnë institucionet shtetërore e t’i kontrollojnë, për të mos thënë pastaj biznesin e boronicave që është skema më e veçantë e pastrimit të parave. Ku je SPAK? Skema më e paimagjinueshme e pastrimit të parave është kompleksi Partizani. Ngritën një shoqëri, i bënë kontrata suksesi, Sali duhet t’ia njohësh një meritë Lulit se të ka dhënë firmën për një leje ndërtimi për një pronë që s’të takonte. Ta hetojë SPAK-u, mos ta mbajë dosjen aty!