Aktualitet

Privatizimi i “Partizanit”, Mediu ishte në SPAK/Ish-ministri: U thirra si deklarues!

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, sot ishte në SPAK për t’u pyetur lidhur me aferën e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani” në kryeqytet. Në mjediset e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit e Krimit të Organizuar, ish-ministri i Mbrojtjes shkoi me kërkesë të prokurores, Enkeleda Millonai, e cila ka në hetim aferën e privatizimit të ish-kompleksit të klubit sportiv “Partizani”.

Mediat raportuan se Fatmir Mediu u thirr si person që ka dijeni për rrethanat e hetimit për dosjen e kompleksit “Partizani” dhe rolin e tij si ministër i Mbrojtjes në kohën e qeverisë Berisha, kohë kur u privatizua kompleksi në fjalë që ishte në pronësi të dikasterit të drejtuar prej tij.

Vetë Mediu në një prononcim të shkurtër për gazetarë në dalje nga godina e SPAK-ut, deklaroi se do të ruajë konfidencialitetin e dëshmisë:

Për një hetim që është interesi i SPAK-ut, unë do të ruaj konfidencën e dëshmisë. Jam thirrur si deklarues.

Dosja e privatizimit të kompleksit “Partizani”, tashmë është në dorë të Prokurorisë së Posaçme, SPAK. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka paditur ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, të tjerë anëtarë të qeverisë Berisha, Jamarbër Malltezin, dhëndrin e ish-kryeministrit, si dhe drejtues të shtabit të ushtrisë shqiptare, bashkë me administratorët e aksionerët e dy kompanive ndërtuese.

Kujtojmë se ish-ministri Fatmir Mediu është nën hetim edhe për tragjedinë në Gërdec, ku shpërthimet e 15 marsit të vitit 2008 në një fabrikë demontimi armësh e municionesh, vranë 26 persona, si dhe plagosën rreth 300 të tjerë. Po ashtu është akuzuar dy herë “Për shpërdorim detyre” sipas Kodit Penal dhe Kodit Penal Ushtarak, por nuk u gjykua asnjëherë pasi u mbrojt nga imuniteti parlamentar. Në tetor të vitit të kaluar, Prokuroria e Posaçme regjistroi procedimin penal ndaj ish-Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për të hetuar përgjegjësinë e tij në ngjarjet tragjike të vitit 2008 në Gërdec.