Aktualitet

Dosja “Gërdeci”, Kushtetuesja “rrëzon” Fatmir Mediun!

Gjykata Kushtetuese rrëzon ankimimin e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit që pranoi kërkesën e SPAK-ut për rihapje të hetimeve mbi dosjen Gërdeci.  Përmes avokatit, Mediu pretendoi se vendimi ishte në shkelje të ligjit, të parimit të gjësë së gjykuar. Pasi dëgjoi relatorin e çështjes Sandër Beci, shqyrtoi kërkesën, dokumentet shoqëruese e diskutoi çështjen në tërësi, Kolegji vendosi të mos e kalojë për shqyrtim në seancë plenare.

Prokuroria e Posaçme regjistroi procedimin penal ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për të hetuar përgjegjësinë e tij në ngjarjen tragjike të 15 marsit 2008 në Gërdec pranë Tiranës e ku nga shpërthimet në një fabrikë demontimi humbën jetën 26 persona dhe u plagosën rreth 300 të tjerë.

Ish-ministri i Mbrojtjes Mediu, i ishte drejtuar Kushtetueses me kërkesë “shfuqizimi i vendimit nr. 1106, datë 21.12.2021 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”.

Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nr. 99 datë 19.07.2022, Kolegji i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i përbërë nga: Vitore Tusha, kryetare dhe Elsa Toska e Sandër Beci, anëtarë, në datën 19.07.2022 mori në shqyrtim paraprak kërkesën nr. 4 (F) 2022 të Regjistrit Themeltar me kërkues Fatmir Mediu.

Objekti i kërkesës ishte shfuqizimi i vendimit nr. 1106, datë 21.12.2021 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Kolegji i Gjykatës Kushtetuese pasi dëgjoi relatorin e çështjes Sandër Beci, shqyrtoi kërkesën, dokumentet shoqëruese dhe diskutoi çështjen në tërësi vendosi moskalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare.

Më herët, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO e Apelit), me vendimin nr. 205, datë 24.09.2021, ka vendosur revokimin e vendimit të pushimit të hetimeve dhe kthimin e akteve Prokurorit të Posaçëm për të proceduar, në bazë të nenit 329/c, pika 3, të KPP-së, pasi imuniteti parlamentar në kohën e procesit të ngritur ndaj kërkuesit përbënte thjesht një pengesë të përkohshme procedurale për procesin penal, i cili duke qëndruar i pushuar përpara Kolegjit të Gjykatës së Lartë, me rënien e kushtit rifillonte ndjekja penale.