Aktualitet

Aksion i SPAK-ut me Antimafian e Barit kundër pastrimit të parave/ Goditet grupi i Igli Kamberit!

Detaje nga operacioni që SPAK-u nisi në mëngjes herët, në bashkëpunim me Antimafien e Barit, për goditjen e një grupi kriminal të dyshuar për pastrim parash. Në total u lëshuan 14 masa sigurie. Nga dhjetë “Arrest me burg”, gjashtë u ekzekutuan në Itali dhe 4 në Shqipëri. Mes të tjera masave janë një “Arrest shtëpie” e tre “Detyrim për paraqitje”.

Masa e sigurisë iu komunikua në Itali kreut të grupit kriminal, Igli Kamberi, i arrestuar në korrik të 2025-ës, ndër të tjera, i akuzuar për vrasjen e një 26-vjeçari në Berletta të Italisë, po vitin e kaluar.

Ishin hetimet për këtë vrasje që çuan në zbulimin e rrjetit kriminal dhe aktivitetit të pastrimit të parave e që nga Italia i sillnin në Shqipëri me mjete transporti të ndryshme.

Më 2024-ën, në pikën kufitare të Muriqanit u sekuestruan mbi 680 mijë euro, teksa po tentohej futja e tyre në Shqipëri me një automjet. U dyshua se paratë i përkasin pikërisht këtij grupi kriminal.

Në Shqipëri u arrestua Ergys Kastrati alias Bishja, prej 2 vitesh në kërkim ndërkombëtar nga Italia, gruaja e tij Desmira Ceco dhe dy shoferë që bënin transportin e parave të pista. Bishja u prangos në një vilë pranë TEG-ut.

Igli Kamberi dyshohet si kreu i grupit kriminal me veprimtari në fushën e pastrimit të parave. Në Itali, atij iu komunikua “Arresti me burg” e është i arrestuar edhe se dyshohet si i përfshirë në vrasjen e berberit  26-vjeçar nga Barletta, Francesco Diviesti, i cili u zhduk më 25 prill 2025 dhe u gjet i vdekur katër ditë më vonë.

Trupi i tij gjysmë i djegur, me plagë nga arma e zjarrit, u zbulua në rrënoja, në një fshat midis Canosa di Puglia-s e Minervino Murge-s, në zonën veriore të Barlettës.

Kamberi u prangos në Roske të Hungarisë teksa ishte nisur me autobus drejt Shqipërisë. Ai dyshohet dhe për posedimin e 24 kilogramëve kokainë, po në Barletta të Italisë.