Një operacion i gjerë i përbashkët mes autoriteteve shqiptare dhe italiane u zhvillua në orët e para të mëngjesit, në kuadër të një hetimi ndërkombëtar kundër krimit të organizuar.
Sipas informacioneve paraprake, bëhet me dije se u arrestua Ergys Kastrati alias Bishja, i cili prej 2 vitesh është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, ndërsa janë lëshuar disa masa të tjera sigurie, ku deri më tani janë ekzekutuar 4 prej tyre.
Hetimi është i ndarë në dy drejtime kryesore, por të lidhura mes tyre. Pista e parë lidhet me një rrjet kriminal me bazë në Tiranë, i dyshuar për pastrim ndërkombëtar parash, duke transferuar shuma të mëdha cash nga Italia drejt Shqipërisë përmes skemave të strukturuara financiare.
Ndërsa pista e dytë ka të bëjë me vrasjen e Francesco Diviestit, në Canosa di Puglia më 25 prill 2025. Autoritetet italiane po hetojnë rrethanat e krimit dhe lidhjet e mundshme me struktura kriminale të organizuara.
Sipas autoriteteve hetimore, elementët e grumbulluar deri tani janë rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë mes DIA-s së Barit dhe autoriteteve shqiptare, me mbështetjen e Zyrës së Ekspertit të Sigurisë në Tiranë dhe koordinimin e Eurojust.
Operacioni konsiderohet një tjetër shembull i bashkëpunimit gjyqësor dhe policor ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar që operon mes Italisë e Shqipërisë.
Hetimet ende janë në zhvillim dhe autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur numrin e personave të ndaluar apo masat e marra deri në këtë fazë.