Rajoni

Propozimi francez, opozita maqedonase akuza qeverisë se gënjen!

Opozita maqedonase e drejtuar nga VMRO-DPMNE/ja, akuzon kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe ministrin e Jashtëm, Bujar Osmani se po gënjejnë. Sipas saj, “propozimi francez nuk ka ndonjë ndryshim”. VMRO-DPMNE/ja i refererohet një deklarate të kryediplomates bullgare, Teodora Gençovska që sipas kësaj partie i ka thënë mediave në Sofje, se “nuk ka asnjë ndryshim në modifikimet e tekstit të propozimit”. VMRO-ja akuzon Lidhjen Social Demokrate në pushtet për tradhëti të re kundër popullit në Maqedoninë e Veriut.

Ndërkohë, Bashkimi Demokratik për Integrim thekson:

Të tilla shanse të një kompromisi që nuk cënon aspak identitetin, gjuhën dhe dinjitetin kombëtar të maqedonasve, nuk duhen lëshuar, për të mirën e së ardhmes së sigurtë e përparimtare të vendit dhe rajonit.

Shkupi ngul këmbë se çështjet e historisë nuk do të jenë në tryezën e bisedimeve me palën bullgare, ndonëse ngërçi në bisedimet mes ekipeve të historianëve nga dy vendet ishte rezultat i mosmarrëveshjeve mbi identitetin e disa prej figurave historike. Në kornizën negociuese, gjuha do të jetë “gjuhë maqedonase”.

Presidenti Pendarovski theksoi se ky është një propozim shumë më i mirë se i mëparshmi. Ndërkaq, çështja do të hidhet për debat edhe në parlament e me opozitën. Gjithashtu, shoqëria civile dhe ekspertët mund të bëjnë vlerësimet e tyre.

Shkupi zyrtar bën të ditur se pasi Maqedonia e Veriut të japë pëlqimin, pritet të thirret konferenca ndërqeveritare për hapat e mëtejshëm e për miratimin e kornizës negociuese. Autoritetet nuk mund të thonë sa mund ta zgjasë procesi i konsultave me institucionet e brendshme lidhur me propozimin e Francës për arritjen e kompromisit me Bullgarinë e që do t’i hapte rrugën europiane edhe Tiranës, krahas Shkupit. Dokumenti thekson:

Për të hapur fazën e bisedimeve, Këshilli Europian do të thërrasë një konferencë tjetër ndërqeveritare, sapo Maqedonia e Veriut të zbatojë zotimet që kanë të bëjnë me ndryshimet kushtetuese, në përputhje me procedurat e saj të brendshme.