Rajoni

Maqedoni e Veriut/ Paralajmërohen ndryshime në Qeveri, pritet të ndahet drejtimi i ministrive…

Në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut priten ndryshime. Pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, e cila pritet të mbahet sonte, pritet të dalin detaje nga ndryshimet në Qeveri, përfshirë ministrat që do të largohen dhe ata që do të emërohen, njoftojnë mediat në RMV.

Kryeministri Hristijan Mickoski një ditë më parë refuzoi të zbulojë emra që pritet t’i bashkohen kabinetit qeveritar, duke theksuar se për këtë do të flasë vetëm pas përfundimit të mbledhjes së partisë.

“Nuk kemi biseduar për zgjidhje personale apo emra. Në parim kemi marrëveshje për resorët. Siç kam thënë edhe më parë, derisa të përfundojë mbledhja e Komitetit Ekzekutiv, nuk do të komentoj as resorë e as emra”, deklaroi Mickoski në Trubarevë.

Edhe pse ende nuk ka konfirmime zyrtare, partnerët e koalicionit tashmë kanë bërë të ditura pritjet e tyre lidhur me rindërtimin e kabinetit qeveritar.

Koalicioni VLEN ka njoftuar se pas riformatimit të Qeverisë, ata do të drejtojnë gjashtë ministri. Mësohet se disa prej ministrive që do të drejtojë VLEN janë Ministria e Drejtësisë, Ministria e Kulturës dhe Ministria për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive. Po ashtu ata do të këmbëngulin për të drejtuar Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Politikës Sociale.

Nga ZNAM deklarojnë se “të gjitha opsionet janë në tavolinë”, pa dhënë më shumë hollësi. Megjithatë, sipas informacioneve që qarkullojnë, kjo parti pritet të humbasë drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa si alternativë mund t’i besohet Ministria e Bujqësisë.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri dhe ministri për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Ivan Stoilkoviq, përmes një postimi në Facebook bëri të ditur se po largohet nga posti, duke theksuar se ministrinë e lë në gjendje të mirë.

Përveç ndarjes së ministrive, vëmendja mbetet e përqendruar edhe te emrat që do të marrin drejtimin e ministrive. Ristrukturimi i Qeverisë pritet të sjellë ndryshime të rëndësishme në përbërjen e kabinetit qeveritar, ndërsa mbetet të shihet nëse kryeministri do të propozojë vetëm zëvendësimin e ministrave të caktuar apo do të kërkojë votim për një përbërje të re të Qeverisë.

Detajet zyrtare të ristrukturimit të Qeverisë pritet të bëhen të ditura pas përfundimit të mbledhjes së organeve të VMRO-DPMNE-së.