Auto & Moto

Publikohen pamjet e Volkswagen Amarok 2022 pak ditë para prezantimit zyrtar!

Volkswagen ka publikuar së fundmi disa pamje të kamionçinës së gjeneratës së re Amarok, pak ditë para prezantimit zyrtar me 7 korrik. Fotografitë tregojnë gomën e përshtatshme për të gjitha terrenet e mbështjellë me një dizajn të ri të aliazhit të rrotës të prerë në formë diamanti. ‘Auto Express’ shkruan se mbi gomë mund të shohim një hark rezistentë rrotash dhe një pjesë të fenerëve të ri “IQ Light”.

Me kamionçinën Mercedes X-Class që i mbijetoi tregut vetëm për pak kohë, Volskwagen Amarok ka qenë dominues në shitjet në linjën premium të segmentit të kamionçinave në dekadën e fundit. Kështu që nuk është befasi që po shohim një gjeneratë të re të Amarok.

Si pjesë e marrëveshjes mes VW dhe Ford në lidhje me makinat komerciale, Amarok i ri do të ketë mjaftueshëm komponentë të përbashkët me modelin e ri Ranger të markës amerikane të makinave, pasi që në vitin 2018 të dy firmat kishin arritur marrëveshje për një aleancë strategjike mes tyre. Siç duket Amarok do ta mbajë pozitën e saj të parë në linjën premium të kamionçinave.

Ndërkaq, Volkswagen mund të shesë më shumë makina elektrike se Tesla deri në vitin 2024. Gjatë viteve të ardhshme, dy prodhuesit e makinave do të luftojnë për një rol udhëheqës në shitjet globale të automjeteve elektrike, duke e lënë pjesën tjetër të industrisë së makinave shumë prapa. Prodhuesi gjerman ka njoftuar prej vitesh se ka ndërmend të shesë më shumë makina elektrike se kompania amerikane. Sipas një raporti të publikuar nga ‘Bloomberg Intelligence’, kjo më në fund mund të ndodhë në vitin 2024.