Bota

Punonjësit e Twitter-it kanë një kërkesë qesharake por të domosdoshme për Elon Musk!

Ulja drastike e kostove të Elon Musk në Twitter ka disa pasoja të papritura për punëtorët, duke bërë që banjot të mbushen me erë të keqe dhe të mbesin pa letër higjienike. Erërat nga banjat e papastra dhe nga disa tualete të bllokuara kanë filluar të ndjehen në korridoret dhe hapësirat e punës, sipas punonjësve. Ndërkaq, Musk ende kërkon që pothuajse të gjithë të punojnë në zyrë pesë ditë në javë. Ka pasur disa kërkesa në platformën Slack dhe me email nga punonjësit në kompani për të korrigjuar situatën e përkeqësuar të banjës.

BBC siguroi së fundmi fotografi të zyrës së Twitter, e cila është shndërruar në dhoma gjumi dhe autoritetet në San Francisko po hetojnë për shkelje të mundshme të kodit të ndërtimit. Një imazh tregoi një dhomë me një krevat dopio, duke përfshirë një gardërobë dhe pantofla. Një ish-punëtor tha se shefi i ri i Twitter, Elon Musk ka qëndruar në selinë që kur bleu firmën. Ai muajin e kaluar i dërgoi email të gjithë stafit të Twitter duke thënë se do të duhet të jenë jashtëzakonisht të fortë për të pasur sukses.

Së fundmi, përdoruesit e Twitter kanë votuar në favor të largimit të Elon Musk nga posti i shefit ekzekutiv të platformës pasi miliarderi bëri një sondazh për të ardhmen e tij. Një total prej 57.5% votuan “po” pasi Musk pyeti 122 milionë ndjekësit e tij nëse ai duhet të tërhiqej. Musk, i cili bleu Twitter për 44 miliardë dollarë tha para mbylljes së sondazhit se ai do t’i përmbahej rezultatit.