Rajoni

Qeveria e Abazoviçit humb mbështetjen e partisë së Gjukanoviçit në Mal të Zi!

Në Malin e Zi, kryesia e DPS-së, Partisë Demokratike të Socialistëve e Milo Gjukanoviçit vendosi të ndërpresë mbështetjen për Qeverinë e kryeministrit Dritan Abazoviç. Arsyeja është Marrëveshja Themelore me Kishën Ortodokse Serbe, e miratuar nga ekzekutivi, më 8 korrik. DPS-ja deklaroi se akordi kërcënon interesat shtetërore të Malit të Zi. Qeveria akuzohet se ndryshoi kursin politik, për të cilin ishte rënë dakord me formimin e saj.

Qeveria braktisi detyrën prioritare të përmbushjes së detyrimeve nga axhenda e integrimit europian e me nxitim, në mënyrë të papërgjegjshme dhe pa u konsultuar bëri marrëveshje me Kishën Ortodokse, duke i shkaktuar dëm të pallogaritshëm interesave shtetërore të Malit të Zi.

Në Parlamentin e Malit të Zi, partia e Gjukanoviçit numëron 29 deputetë dhe është forca kryesore politike që ka mbështetur qeverinë e pakicës së Abazoviçit, që nuk ka ministra të saj. Kabineti i Dritan Abazoviçit u formua më 28 prill, pasi në shkurt të këtij viti u rrëzua qeveria e mëparshme e Zdravko Krivokapiçit, me nismën e Dritan Abazoviçit, i cili ishte zëvendëskryeministër në atë ekzekutiv.

Menjëherë pas njoftimit të DPS-së, reagoi Abazoviç, i cili në një postim në Twitter, shkruan:

Kur nuk ke mundësi ta ndihmosh shtetin, të paktën mos e vështirëso situatën. Do të shohim se cili është qëndrimi i shumicës së deputetëve.

Abazoviç nisi e zbatoi procedurën me të cilën u miratua teksti i Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe pavarësisht paralajmërimeve nga partitë partnere në pushtet, në radhë të parë DPS-së, Partisë Socialdemokrate dhe një pjese të partive të pakicës, si dhe nga opozita Socialdemokrate, për dëmin e marrëveshjes kundrejt interesave të Malit të Zi.

Gjatë diskutimit në qeveri, Abazoviç pranoi se pjesë të Marrëveshjes Themelore nuk janë harmonizuar plotësisht me ligjet dhe Kushtetutën e Malit të Zi, por insistoi në miratimin e saj.

Pas Qeverisë së Malit të Zi, marrëveshja duhet të miratohet nga Sinodi i Kishës Ortodokse Serbe dhe më pas, Abazoviç e Patriarku Porfirije i Kishës Ortodokse Serbe duhet të bien dakord për datën dhe vendin e nënshkrimit. Ndërsa Partia Socialdemokrate, zyrtarë të së cilës janë ministrat e Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes, paralajmëroi fillimin e procedurës për zgjedhje të parakohshme.