Aktualitet

Rama në Bruksel: E trishtë që duhej Putini për të kujtuar sa i rëndësishëm është Ballkani Perëndimor!

Pas takimeve në Bruksel, kryeministri Rama u shpreh se “plani i rritjes ekonomike është hapi i parë që vendet tona të jenë pjesë e Unionit”. Shefi i qeverisë tha se është e trishtë që duhej lufta në Ukrainë për të kujtuar BE-në sa i rëndësishëm është Ballkani Perëndimor. Në kryeqendrën europiane, Rama mori pjesë në mbledhjen e Komitetit Ekonomik dhe Social Europian.

Po shohim se Bashkimi Europian është shumë më i vetëdijshëm në vepra e jo vetëm me fjalë, për rëndësinë strategjike që ka Ballkani Perëndimor për BE-në. Eshtë e trishtë që duhej Vladimir Putini që të ndodhte kjo gjë. Besoj se ne tashmë duhet ta ruajmë këtë ritëm për të ecur me hapa të guximshëm përpara e të mos presim për një agresion tjetër që të na kujtojë, e të kujtojë njerëzit në Bruksel se sa i rëndësishëm është Ballkani Perëndimor për BE-në.

Kryeministri shtoi se ka ardhur koha që BE-ja të kuptojë se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë vetëm mjaftueshëm të pjekura, por janë në një situatë ku meritojnë të përqafohen e të sillen më pranë.

Ajo çfarë po ndodh sot është shembull ekzemplar i asaj çfarë duhet të ndodhë më tej në nivele të tjera. Besoj fort që ajo që po ndodh sot këtu duhet të ndodhë në Parlamentin Europian, Komisionin Europian dhe Këshillin Europian.

Kjo është e vetmja rrugë për të qetësuar të gjithë shpirtrat dhe për të injektuar një energji mjaft konkrete, të prekshme e të dobishme në të gjitha vendet kandidate, lidhur me të ardhmen mjaft konkrete me të qenit pjesë të BE-së. Në të kundërt, rrezikojmë t’i hyjmë një rruge që nuk mbaron kurrë të qëllimeve të mira, një mori premtimesh por pa asnjë rezultat.

I pyetur për marrëveshjen me Italinë lidhur me strehimin e emigrantëve, Rama vuri në dukje se Shqipëria po sillet si një vend anëtar i BE-së.

Më vonë gjatë ditës, kryeministri Rama do të ketë një takim me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili pas një ore pritet të vijë në Tiranë, në të parën vizitë dhe të gjashtën të një shefi të diplomacisë së Uashingtonit në Shqipëri që pas rrëzimit të regjimit komunist.

Nga dje, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” në kryeqytet është zbukuruar me flamuj shqiptarë dhe amerikanë ndërsa në fasadën e Universitetit të Tiranës, lartësohet një foto e madhe e sekretarit Blinken, duke i uruar mirëseardhjen. I njëjti poster shihet në llogarinë në Facebook të kryeministrit Rama.