Showbiz

Ribashkimi i “Friends”, ja çfarë dihet deri tani…

Ribashkimi i 6 personazheve të famshëm të “Friends” pritej me padurim prej vitesh me radhë ndërkohë që seriali më i famshëm i të gjitha kohërave u bë i prekshëm edhe për të rinjtë falë transmetimit të tij në “Netflix”.

Muaj më parë Lisa Kudrow, Jennifer Aniston, Kourtney Cox, Metthew Perry, Matt LeBlanc dhe David Shwimmer ranë dakort dhe konfirmuan ribashkimin me anë të disa postimeve shumë të veçanta në rrjetet sociale.

Ata kanë shtuar kuriozitetin duke mos treguar shumë detaje se ç’do të ndodhë e çfarë duhet të presim nga ky ribashkim por më e rëndësishmja është që ata janë bashkë.

Xhirimet e ribashkimit fatkeqësisht u anuluan për shkak të pandemisë por tashmë ata janë gati t’a rinisin aty ku e lanë.

Përfaqësues të “HBO Max” konfirmuan se do të kemi një seri të re të “Friends” nga fundi i verës. Fanatikët e serialit ende nuk e kanë të qartë se çfarë do të përmbajë kjo seri tashmë kaq misterioze.

Aktorët e famshëm janë shprehur nëpër intervista se ata do të ulen së bashku pas 25 vitesh për të kujtuar momentet më të bukura të “Friends”, por një vazhdim të serialit nuk do të ketë.

Gjithashtu mësohet se secili prej tyre do të paguhet plot 2.5 milionë dollarë vetëm për këtë ribashkim të cilin e presim të gjithë me padurim.