Bota

Rishi Sunak, kryeministri i ri i Britanisë së Madhe!

7 javë pasi humbi garën përballë Liz Truss, Rishi Sunak del këtë herë fitues. Ai do të bëhet kryeministri i parë britaniko-aziatik, i Mbretërisë së Bashkuar dhe do të marrë detyrën teksa vendi përballet me një sfidë të madhe ekonomike.

Sipas korrespondentit të Top Channel në Londër Arben Manaj, Rishi Sunak do të jetë kryeministri i ri i Britanisë së Madhe.

Sunak bëhet kryeministri i parë britanik me prejardhje indiane, pasi familja e tij emigroi në Britani në vitet ’60.

Sunak u bë i njohur për publikun britanik kur ishte 39 vjeç, pasi Johnson e emëroi ministër të Financave, në kohën kur Britania regjistroi rastet e para me koronavirus.

Pretendentëve për të pasuar Truss, e cila njoftoi dorëheqjen të enjten, u duhej të siguronin mbështetjen e 100 deputetëve konservatorë. Boris Johnson, fillimisht mendoi të shfrytëzonte mundësinë për të rimarrë detyrën qe u detyrua ta braktiste para kohë, por më vone bëri një hap prapa dhe njoftoi se nuk do të garantonte për të mos e përçarë partinë.

E vetmja rivale e Sunak, Penny Mordaunt, u tërhoq gjithashtu nga gara pak para se te skadonte afati për mbledhjen e mbështetjeve të nevojshme. Kjo e bëri automatikisht ish ministrin e financave Sunak, kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe.