“Chat Lock” do të jetë i disponueshëm në ditët në vijim për përdoruesit e WhatsApp-it. Ky modalitet i ri i lejon përdoruesit që të kyçin bisedat që duan. Chati që do të futet në kyç do të hiqet nga lista e përgjithshme dhe do të futet në një folder të veçantë ku mund të aksesohet vetëm me anë të të dhënave biometrike siç mund të jetë gjurma e gishtit apo skanimi i fytyrës, ose një fjalëkalim.
Për ta fshehur bisedën, mjafton ta mbani shtypur dhe nga menuja që do të shfaqet të zgjidhni “chat lock”. Më pas, kur të doni të aksesoni mesazhet e mbrojtura do të duhet që të bëni identifikim biometrik ose të fusni fjalëkalimin. Sa i përket njoftimeve, ato do të vinë, por emri i dërguesit do të mbetet i fshehur. Ndryshe nga arkivimi i bisedës, ky modalitet mund të përdoret për të fshehur biseda që doni t’i mbani private.
Rikujtojmë, se së fundmi gjithashtu WhatsApp ka lançuar së fundmi një aplikacion zyrtar për Wear OS, duke iu dhënë testuesve beta të aplikacionit të saj Android, mundësinë për të dërguar mesazhe me tekst dhe zë nga kyçi i dorës. Funksionaliteti u shtua me versionin 2.23.10.10 të aplikacionit beta Android, që gjithashtu thuhet se përmban sugjerime se shërbimi së shpejti mund t’i lejojë përdoruesit e Android të modifikojnë mesazhet e dërguara më parë.