Robotët humanoidë mund të jenë së shpejti pjesë e fushëbetejës. Një kompani amerikane po zhvillon robotin “Phantom”, i cili në të ardhmen mund të kryejë misione zbulimi, transporti, shpëtimi dhe madje edhe operacione luftarake, duke reduktuar rrezikun për ushtarët njerëzorë. Në një objekt teknologjik në San Francisko, startup-i Foundation Robotics po teston robotin humanoid Phantom. Edhe pse aktualisht ai kryen detyra të thjeshta, si lëvizja e blloqeve me ngjyra, kompania synon ta shndërrojë atë në një mjet të avancuar për përdorime ushtarake dhe civile.
Sipas drejtorit ekzekutiv të kompanisë, Sankaet Pathak, roboti mund të përdoret për transport furnizimesh, zbulim terreni, rikuperim pajisjesh ose të plagosurish dhe inspektim zonash të rrezikshme. Në të ardhmen, ai mund të pajiset edhe për të neutralizuar kërcënime në vijën e frontit. Pathak argumenton se robotë të tillë mund të mbrojnë jetën e ushtarëve duke hyrë në ndërtesa ose zona me rrezik të lartë, ku humbjet njerëzore mund të jenë të mëdha.
Megjithatë, teknologjia është ende në fazat e para. Modeli aktual, Phantom MK-1, nuk ka bateri të integruar, nuk është rezistent ndaj ujit dhe pluhurit dhe nuk mund të ngrihet vetë pasi rrëzohet. Kompania po punon tashmë për Phantom MK-2, i cili pritet të ketë bateri me autonomi rreth gjashtë orë, rezistencë ndaj kushteve atmosferike, aftësi për t’u ngritur vetë pas rrëzimit dhe duar shumë më të avancuara. Foundation Robotics synon të prodhojë deri në 40 mijë robotë në vit deri në fund të vitit 2027, me një kosto prej më pak se 20 mijë dollarësh për njësi, duke e bërë teknologjinë më të përballueshme për përdorim në shkallë të gjerë.