Sport

Rrugëtimi drejt “Euro 2024”-ës vijon me Ishujt Faroe pas fitores me Moldavinë!

Pas fitores së parë në rrugëtimin drejt Gjermanisë, Shqipëria përgatitet për përballjen e 20 qershorit me Ishujt Faroe. Sfida në transfertë pason triumfin e mbrëmshëm të kuqezinjve me Moldavinë, me rezultatin 2-0 në stadiumin “Air Albania” në Tiranë. Kombëtarja arriti fitoren e parë të eleminatoreve për në Kampionatin Europian të Futbollit “Euro 2024”. Siç dihet, shorti e pozicionoi në Grupin E, Shqipërinë e futbollit, me Poloninë, Moldavinë e Ishujt Faroe.

Shqipëria zbriti në fushë me formacionin 4-3-3. Në portë Berisha, në mbrojtje Hysaj, Ismajli, Gjimshiti, Mitaj. Në mesfushë Bare, Ramadani e Bajrami, ndërsa në sulm Asani, Uzuni e Cikalleshi. Trajner: Sylvinho

Moldavia zbriti në fushë me formacionin 3-5-2. Në portë me Railean, në mbrojtje me Craciun, Mudrac, Posmac, në mesfushë me Revenco, Motpan, Baboglo, Rata, Reabciuk, në sulm me Nicolaescu dhe Damascan. Trajner: Serghei Clescenco.

Shqipëria e nisi më mirë takimin teksa në minutën e 5-të, Bajrami nga goditja e këndit krosoi në zonë, Ismajli goditi me kokë, por priti portieri moldav.

Në minutën e 8-të, Bajrami dribloi bukur kundërshtarët në hyrje të zonës dhe fitoi goditje dënimi, të cilën e gjuajti po vetë, por topi u përplas në mur.

Me kalimin e minutave Shqipëria u bë më kërkuese e fitoi 3 goditje këndi, por pa rezultat.

Në minutën e 18-të, moldavët patën një rast, por Nicolaesu gaboi në goditjen me kokë, duke e çuar topin pak mbi traun e portës së mbrojtur nga Berisha.

Në minutën e 20-të, Ramadani rrezikoi me një gjuajtje nga jashtë zone drejt portës moldave.

Një minutë më pas, Cikalleshi gjuajti nga jashtë zone, por topi goditi traversën e portës së mbrojtur nga portieri moldav, Railean.

Në të 35-ën, Hysaj kombinoi bukur me Baren, mesfushori krosoi brenda zonës, por grushtoi portieri moldav.

Në minutën e 41-të, Bajrami gjuajti një goditje dënimi, por topi kaloi ngjitur me shtyllën dhe doli jashtë.

Pjesa e parë përfundoi 0-0 pavarësisht rasteve të shumta për shënim nga Kombëtarja Shqiptare.

Në pjesën e dytë, Kombëtarja hyri mjaft agresive në fushë dhe shënoi në minutën e 52-të me Jasir Asanin, i cili goditi bukur nga jashtë zone. 1-0 për Shqipërinë.

Në minutën e 62-të, Hysaj dha një kros të artë për Uzunin, por ky i fundit goditi me kokë jashtë, megjithëse fare pranë portës.

Në minutën e 64-rt, Cikalleshi tentoi nga e majta me një gjuajtje të fortë, por topi doli disa metra jashtë porte.

Në minutën e 76-të, Nedim Bajrami depërtoi mjaft bukur në zonë dhe me një goditje të fortë arriti të mposhtë portierin moldav Railean.

Në minutat e mbetura, Kombëtarja administroi avantazhin duke ulur ritmin e lojës dhe siguroi 3 pikët mjaft të rëndësishme për rrugëtimin drejt kampionatit europian “Gjermani 2024”.

Kjo ishte fitorja e parë e Shqipërisë, pas humbjes 1-0 në Poloni në ndeshjen e parë në grup. Në grup jemi të tretët, në kuotën e 3 pikëve pas dy ndeshjeve, ndërsa Moldavia renditet e 4-ta, me 2 pikë pas tre takimeve.

Në ndeshjen tjetër të Grupit E, Republika Çeke fitoi 0-3 në transfertë ndaj Ishujve Faroe, duke u renditur e para me 7 pikë, pas tre ndeshjesh.