Bota

Rusët sulmojnë Toreckun në Ukrainë, shkaktohen viktima!

Gjashtë persona u vranë pasi Rusia bombardoi një ndërtesë në qytetin Toreck, në lindje të Ukrainës. Këtë e njoftoi Shërbimi Shtetëror për Situata Emergjente.

Mëngjesin e sotëm, qyteti Toreck është sulmuar me granata. Një ndërtesë dykatëshe, me njerëz brenda, u shkatërrua. Ekipet e shpëtimit gjetën dhe nxorën trupat e pesë njerëzve të pajetë. Tre vetë u shpëtuan nga rrënojat dhe një prej tyre vdiq në spital.

Ekipet e shpëtimit thanë se kanë përfunduar kërkimet për të mbijetuar të tjerë. Toreck, një qytet me popullsi prej 30 mijë banorësh, gjendet rreth 50 kilometra në jug të Kramatorskut, një prej qyteteve të fundit që kontrollohet nga Ukraina, në lindje të vendit.

Një ditë më parë, ushtria ukrainase tha se Rusia po përgatitet për fazën e re të ofensivës së saj në Ukrainë, pas urdhrave të Moskës për të rritur operacionet ushtarake. Qëllimi kryesor i Rusisë është që të marrë kontrollin e Donjeckut dhe Luganskut, dy provincat që përbëjnë rajonin e Donbasit. Por, Rusia aktualisht po kryen sulme edhe në Ukrainën qendrore, verilindore e jugore.

Ukraina tha se ditëve të fundit, forcat e saj janë duke përgatitur veten për kundërsulme të mëdha për të marrë territorin e humbur, në veçanti në jug të shtetit. Rusia po përdor kontraktorin privat ushtarak, Wagner, për të forcuar ushtrinë e saj në pushtimin e Ukrainës. Në përditësimin ditor për luftën në Ukrainë, Ministria britanike e Mbrojtjes, njofton sot se “Wagner po ul standardet e rekrutimit dhe po punëson të dënuar e persona që janë në listën e zezë”. Sipas Londrës zyrtare, “me gjasa, kjo mund të ndikojë në efektivitetin e ushtrisë ruse”. Wagner besohet se kontrollohet nga Yevgeny Prigozhin, një bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin.

Duke u përballur me numër të lartë të viktimave në luftën në Ukrainë, Qeveria e Putinit dhe ushtria kanë ndërmarrë një sërë hapash për të rritur rekrutimin e ushtarëve, pa urdhëruar mobilizim të përgjithshëm që mund të ketë rreziqe politike, të paktën për momentin.

Autoritetet ukrainase pretendojnë se “Rusia ka humbur mbi 38 mijë e 450 ushtarë dhe oficerë”, që nga koha kur nisi pushtimin e Ukrainës, më 24 shkurt. Ministria e Mbrojtjes në Moskë, për herë të fundit i ka publikuar në mars shifrat e viktimave, duke pranuar se i janë vrarë 1 mijë e 351 ushtarë.