Aktualitet

Sherri banal me një viktimë në Gramsh, arrestohen 4 adoleshentë!

Arrestohen katër adoleshentët e përfshirë në konfliktin tragjik të një dite më parë në lagjen “Sporti 2” në Gramsh e që i mori jetën të miturit Fation Bici, 16-vjeç. Ngjarja e rëndë u shënua dje rreth orës 13:30 minuta kur sipas policisë, disa adoleshentë u përfshinë në një konflikt të çastit. Fation Bici humbi jetën disa orë më pas në spital ndërsa mbeti i plagosur dhe shoku i tij 15 vjeç, me iniciale M.L. Ai mbetet në spital, por fatmirësisht jashtë rreziku për jetën. Viktima ishte nxënës i klasës së nëntë në shkollën “Asllan Shahini” të Gramshit. Ai ndërhyri për të shuar sherrin, por gjeti vdekjen duke mos iu mbijetuar plagëve nga thika.

Në njoftimin e policisë thuhet:

Këta shtetas, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pas një konflikti të çastit, në lagjen “Sporti 2”, Gramsh, në rrugë, kanë plagosur me mjete prerëse (thika), shtetasit e mitur F. B., 16 vjeç dhe M. L., 15 vjeç. Nga dëmtimet e marra, shtetasi F. B. ka humbur jetën, ndërsa shtetasi M. L. vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Për vdekjen e Fationit reagoi dhe shkolla e fshatit Drizë ku mësonte, duke vënë në dukje se 16-vjeçari u ndodh aty rastësisht dhe ndërhyri për të shuar sherrin që nisi në rrjetet sociale për biseda banale. Por, përfundoi në viktimë e sherrit.

Fationi mbaroi mësimin, si çdo ditë tjetër u interesua duke pyetur rojen e shkollës se a ishte larguar nga shkolla motra e tij më e vogël, nxënëse në klasën e IV e pasi u sigurua se ajo ishte larguar, u nis për në shtëpi. Në mes të lagjes, në mes të ditës, moshatarë të tij nxënës edhe këta nga shkolla e fshatit Drize, konfliktohen për biseda banale në rrjetet sociale dhe konflikti kthehet në tragjedi.

Fationi u ndodh rastesisht aty, duke mos qënë ai pjesë e konfliktit në rrjetet sociale, por një i afërmi i tij. Ai u përpoq t’i ndante në grindje e sipër,por përfundoi viktima e këtij sherri banal.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan tre mjete prerës (thika), dy përforcues grushti dhe pesë celularë.