Aktualitet

Sherri në servisin e automjeteve në Korçë, 3 në pranga/Procedohet pronari!

Tre të arrestuar në flagrancë dhe një tjetër i proceduar penalisht pas një konflikti të ndodhur në një servis makinash në lagjen nr. 10 të Korçës.

Sipas Policisë, shtetasit e arrestuar janë E.D., 39 vjeç, banues në Korçë; E.Th., 40 vjeç, banues në Tiranë dhe L.M., 34 vjeç, banues në Korçë. Ndërsa pronari i servisit, R.Xh., 35 vjeç, u procedua për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”.

Hetimet tregojnë se E.D. dhe E.Th. shkuan me një automjet tek servisi për pakënaqësi lidhur me një shërbim dhe goditën pronarin me sende të forta e mjet prerës. L.M., i cili ndodhej rastësisht në vendngjarje, u përfshi gjithashtu në konflikt. Gjatë përleshjes, R.Xh. plagosi lehtë E.Th. dhe L. M. me një gërshërë pune.

Si prova materiale u sekuestruan automjeti dhe mjetet prerëse, përkatësisht një bisturi-thikë e një gërshërë. Pas marrjes së ndihmës mjekësore në spital, të dëmtuarit u larguan në banesa.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme, ndërsa Policia thekson se vijon hetimin për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.